Connect with us

Rajon

Kërkohen ekspertë të huaj/ Shtyhet zhvarrimi i djalit të Pano Ruçit: Nuk i besojmë asgjëje në Greqi

Zhvarrimi i trupit të Denis Ruçit, djalit të shqiptarit Pano Ruçi, i cili qëndroi për 23 ditë në grevë urie në Greqi, është shtyrë pas një kërkese të re të paraqitur nga avokati i familjes.

Autoritetet greke kishin dhënë miratimin që trupi i të riut të zhvarrosej dhe t’i nënshtrohej analizave toksikologjike dhe të ADN-së, pas kërkesave të përsëritura të familjes, çka solli edhe përfundimin e grevës së urisë së Pano Ruçit. Denis Ruçi humbi jetën në aksidentin tragjik hekurudhor të Tempit, ku mbetën dhjetëra viktima, ndërsa familjarët e tij prej më shumë se një viti kërkojnë drejtësi dhe transparencë mbi rrethanat e ngjarjes.

Shtyrja e procesit u bë për të mundësuar caktimin e një këshilltari teknik të familjes, i cili do të marrë pjesë në procedurë, në përputhje me urdhrin e Prokurorit të Policisë së Larisës. Familja ka kërkuar që ekspertët të jenë nga jashtë Greqisë, pasi, sipas burimeve të “Protothema”, nuk i beson plotësisht autoriteteve dhe mjekëve ligjorë vendas.

Fillimisht zhvarrimi ishte planifikuar të zhvillohej më 9 tetor, ndërsa sipas urdhrit të prokurorit, në proces duhet të marrin pjesë edhe një mjek ligjor shtetëror dhe një përfaqësues i Drejtorisë së Hetimeve Kriminale.

Në një intervistë për emisionin “Live News” të televizionit “Mega”, Pano Ruçi tha se familja ka emëruar tashmë konsulentët teknikë ndërkombëtarë, të cilët do të vijnë në Greqi sapo të caktohet data e re.

“Ne kemi emëruar konsulentët tanë dhe do të biem dakord për datën e ardhjes së tyre. Ne nuk i besojmë askujt në Greqi, nga ajo që kemi parë dhe përjetuar. Duam që procesi të kryhet nga ekspertët tanë dhe sipas ligjit,” deklaroi Ruçi.

Ai shtoi se mostrat që do të merren gjatë zhvarrimit do të dërgohen edhe jashtë Greqisë për analiza të pavarura, ndërsa data përfundimtare e zhvillimit të procedurës pritet të përcaktohet brenda dy ditëve të ardhshme.

Advertisement