Aktualitet
BE reagon për dhunën ndaj studentëve: Të ulen tensionet
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar zyrtarisht për protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit, e cila vijon për të dytën ditë. Në deklaratë, BE shpreh shqetësim për përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë dhe u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet.
Delegacioni thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Duke iu referuar pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve, BE nënvizon se veprimet e forcave të rendit duhet të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore. Gjithashtu, kërkon që rastet e raportuara të hetohen me përparësi.
Në përfundim, delegacioni u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të angazhohen në dialog konstruktiv si rruga për zgjidhjen e situatës.