Aktualitet
Kujt i pengon investimi 4 miliardë dollarësh në Shqipëri?
Nga Melazim Koci
Kujt i pengon investimi 4 miliardë dollarësh në Shqipëri?
Pse ky mobilizim kaq i shpejtë kundër një investimi amerikan në vlerë rreth 4 miliardë dollarë në Shqipëri?
Projekti turistik ne Zvërnec mund të ngrejë dilema legjitime për transparencën, procedurat ligjore ose ndikimin mjedisor.
Në një shoqëri demokratike, debatet mbi çështje të tilla janë të nevojshme dhe të dobishme. Megjithate, lind pyetja nëse mangësitë e mundshme në proces përbëjne motiv të mjaftueshëm për të kontestuar dhe rrezikuar investimin më të madh të huaj të bërë ndonjëherë në hapësirën shqiptare.
Pavarësisht kritikave të mëdha që mund dhe duhet t’u bëhen qeverisjeve në 35 vitet e fundit në Shqipëri, ky projekt nuk përfaqëson dështim, por një arritje. Ai është sinjal se Shqipëria po hyn në hartën e investitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë.
Shqipëria ka vuajtur për shumë dekada nga mungesa e investimeve të mëdha strategjike perëndimore. Sot, kur paraqitet një investim me përmasa historike, një pjesë e opinionit është mobilizuar më shumë për ta penguar sesa për të kërkuar që ai të realizohet me standardet më të larta të transparencës dhe ligjshmërisë.
Po aq e rëndësishme është të shtrohet pyetja: ku ka qenë ky nivel “aktivizmi” për gjendjen e rëndë në shëndetësi, për korrupsionin endemik, për papunësinë ose për largimin e qindra mijëra të rinjve shqiptarë?
Kundërshtimi ndaj këtij projekti po zhvillohet në një moment të rëndësishëm gjeopolitik për shqiptarët. Shqipëria po avancon në procesin e integrimit evropian, ndërsa në Kongresin e SHBA-ve ka nisma për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Është legjitime të shtrohet pyetja nëse dikujt në fqinjësi nuk i konvenon forcimi i raporteve të Tiranës/Prishtinës me Uashingtonin dhe Brukselin. Është shumë e mundur që qarqe të caktuara në Athinë dhe Beograd të kenë interes të madh për ta mbajtur Shqipërinë dhe Kosovën larg zhvillimit ekonomik, larg investimeve strategjike dhe larg mbështetjes së aleatit tonë më të rëndësishëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pyetja nuk është nëse Shqipëria ka nevojë për investime të mëdha amerikane. Pyetja është nëse do të vazhdojmë të humbasim mundësi historike për shkak të përçarjeve politike, paragjykimeve ideologjike dhe infiltrimit të shërbimeve të huaja sekrete në botën shqiptare.