Aktualitet
“Lironi fëmijët tanë!” Revolta para kryeministrisë për arrestimet e të rinjve
Tensione dhe debate verbale janë regjistruar përpara Kryeministrisë, ku dy protestuese kanë kundërshtuar veprimet e policisë dhe shoqërimin e të rinjve gjatë protestave në Tiranë.
Pas shpërndarjes së protestuesve nga rruga, efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë hapur kalimin përpara godinës së Kryeministrisë. Në këtë zonë janë afruar edhe disa qytetarë, të cilët kanë ndërhyrë në debat me efektivët, duke kërkuar sqarime për veprimet e policisë.
Njëra prej protestueseve ka shprehur indinjatën për arrestimet e të rinjve, duke deklaruar se situata e krijuar e ka bërë të ndihet e pasigurt edhe për dërgimin e fëmijëve në shkollë.
“Lironi fëmijët tanë! Po i mbaj fëmijët në shtëpi, nuk i çoj në shkollë. Turp t’ju vijë!”, është shprehur ajo, duke kundërshtuar shoqërimet e kryera gjatë protestës.
Në debat ka ndërhyrë edhe avokatja Entela Koja, e cila u është drejtuar efektivëve me paralajmërimin se veprimet e tyre do të ndiqen përmes rrugëve ligjore. Ajo deklaroi se çështja do të dërgohet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“Do të shkoni në Strasburg. Do të dënoheni për pengmarrjen e rinisë shqiptare”, u shpreh Koja, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj policisë.
Debati para Kryeministrisë vjen në një klimë të tensionuar, ku shoqërimet e të rinjve dhe mënyra e ndërhyrjes së forcave të rendit janë kthyer në objekt kritikash nga protestues dhe qytetarë.