Connect with us

Bota

Magyar ndjek gjurmët e Viktor Orbán, fton Netanyahu në Budapest

Kryeministri i zgjedhur i Hungarisë, Péter Magyar, ka sinjalizuar një vijimësi të qartë të linjës së jashtme të ndjekur nga paraardhësi i tij, Viktor Orbán, duke ftuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për një vizitë në Budapest – pavarësisht një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Ftesa, e bërë në kuadër të një ceremonie që do të shënojë 70-vjetorin e Kryengritjes Hungareze, shihet si një deklarim politik me peshë: Magyar duket i gatshëm të mos zbatojë detyrimin ligjor që Hungaria ka si vend anëtar i GJNP-së për të arrestuar Netanyahun nëse ai hyn në territorin e saj.

Sipas zyrës së Netanyahut, biseda mes dy liderëve u zhvillua në një atmosferë “të ngrohtë dhe miqësore”. Gjatë komunikimit, Magyar theksoi synimin për të vijuar marrëdhëniet e ngushta mes Hungarisë dhe Izraelit, duke konfirmuar një linjë të vazhdimësisë strategjike në politikën e jashtme të Budapestit.

Nga ana e tij, Netanyahu e mirëpriti ftesën dhe iu përgjigj pozitivisht, duke e ftuar Magyar-in për një takim ndërqeveritar në Jerusalem. Ai shprehu gjithashtu besimin se marrëdhëniet e afërta të ndërtuara me qeverinë e Orbánit do të vijojnë edhe gjatë mandatit të ri.

Të dy palët ranë dakord që ministrat e Jashtëm të vendeve respektive të takohen së shpejti për të diskutuar hapat e mëtejshëm në thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Megjithatë, përtej toneve diplomatike, zhvillimi ngre një çështje thelbësore: nëse vizita realizohet, Hungaria do të përballet me një konflikt të hapur mes detyrimeve të saj ndërkombëtare dhe zgjedhjeve politike të lidershipit të ri – një tension që pritet të tërheqë vëmendjen e partnerëve evropianë dhe institucioneve ndërkombëtare.

 

Advertisement