Shkrime
Me hapin e breshkës/ Petrit Vasili: Fitoret e Edi Ramës janë edhe bukë edhe gjellë
Nga Petrit Vasili/
Në vitet e degradimit total të komunizmit, kur njerëzit hanin me tollon Partia e Punës thoshte për patatet, që ishin të vetmet për ushqimin e njerëzve, se ” patatja është edhe bukë edhe gjellë”. Tani në vend të patates ne hamë “fitoret” e Edit, i cili sa herë i kërkojnë llogari për bllokimin e integrimit, papunësinë, varfërinë, shpopullimin thotë: Ne do kemi fitore edhe më të mëdha në zgjedhje”. Por në realitet gjithnjë e më poshtë, gjithnjë e më rrokopujë shkojnë gjërat në Shqipëri.
Atë të cilën shqiptarët shohin më me zili kur dalin jashtë është qetësia qytetare që njerëzit gëzojnë, mirëqenia dhe shteti që i mbështet kur kanë nevojë për ndihmën dhe mbrojtjen e tij.
Ndaj edhe integrimi europian për shqiptarët është një aspiratë kaq e rëndësishme sepse e shohin si mundësinë që të jetojnë si ata përtej kufijve tanë.
Por përballë këtij realiteti kur ky integrim ecën frenato dhe me hapin e breshkës sepse bëmat e gjëmat e qeverisë e pengojnë na shfaqet e shpërfaqet Edi me “fitoret” e tij.
Ky Edi na thotë ne se Europa ka probleme dhe jo ne, që Europa është në krizë dhe jo ne, që Europa është e paaftë dhe jo ne, shkurt na thotë që Edi është shumë në rregull dhe Europa s’ka ç’na duhet.
Harxhon Edi qindra milion euro për të bombarduar mexhlisin me propagandë dhe për të blerë votat dhe thotë se “fitoret” e tij të blera, ato po, kanë rëndësi ndërsa Europa nuk i hyn në punë shqiptarëve.
Nga Shqipëria e “fitoreve” të Edit njerëzit largohen me mijëra e mijëra sepse nuk e kuptojnë ” lumturinë” e madhe, që ai ju ka sjellë.
Nga Shqipëria e “fitoreve” të Edit bizneset largohen dhe qytetarët ikin jashtë edhe për shëndetin.
Në Shqipërinë e ” fitoreve” të Edit njerëzve u rrëmbehet prona, u rrëmbehet liria, u rrëmbehet fjala.
Në Shqipërinë e “fitoreve” të Edit qeveria vjedh miliarda, narkotrafikantët bëjnë ligjin, kriminelët janë ulur këmbëkryq në zyrat e shtetit, paratë e krimit pastrohen 24 orë në ditë pa u ndalur, betoni i kullave helmon qytetet tona.
Pra në Shqipërinë e “fitoreve” të Edit ka kaq shumë begati, qetësi paqe e lumturi sa që vërtet të gjithë po binden se Europa s’ka ç’na duhet fare fare dhe Edi na del e tepron për të gjitha.
Integrimi dhe Europa e ligjit dhe e barazisë përpara tij, e të drejtave e lirive nuk ka ç’na duhet përballe “fitoreve” të Edit kryeministrit të filipinezëve, nepalezëve, indianëve, bangladeshasve që janë ” shqiptarët” e rinj të “fitoreve” të tij.
Jetojmë një realitet ku paturpësia është e vetmja gjë që zhvillohet, zmadhohet e gjigandizohet.
Paturpësia e ka partinë e vet tek ” fitoret” e Edit, por Shqipëria nga ana tjetër ecën drejt shpërbërjes, varfërisë dhe asgjësimit.
Megjithatë Europa na e ka fajin se
“fitoret” e Edit janë kaq të mëdha sa që as mund të diskutohen e kritikohen, por vetëm shijohen dhe me shijen që provon kur thika të shkon deri në palcë.
Europa s’na duhet se ” fitoret” e Edit janë edhe bukë edhe gjellë siç thoshin komunistët dikur për pataten kur i ngordhen shqiptarët nga uria.