Connect with us

Kronike

Djegia e ‘Golf-7’/ Nazmi Liçi: E bëra për 1 mln lekë, më pagoi…

Nazmi Liçi, i cili u arrestua për djegien e një makine në pronësi të Jorgo Zhidros në Elbasan, është zbuluar përmes një video regjistrim që pronari i makinës i ka bërë atij. Videoja prej 1 minutë e 12 sekonda i regjistruar me telefon tregon djegien e mjetit tip “Golf 7”, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2023.

Sipas Qynos, Nazmi Liçi, që në Elbasan njihet si përdorues droge, ka treguar përpara ish-shokut të tij, Jorgo Zhidro, se makinën ia kishte djegur ai me urdhër dhe financim të Ambri Sinakolit, që njihet si Ambri i Universit.

Sipas Nazmi Liçit, ka qenë Ambri i “Universit”, që e ka urdhëruar dhe paguar me 1 milion lekë të vjetra, për të djegur makinën tip “Golf 7”.

“…unë dhe Ambri jemi takuar në ambientet e “Universit” dhe aty kemi dakordësuar planin për djegien e makinës, kundrejt shumës prej 1 milion lekë të vjetra…”-ka pohuar në video-regjistrim Nazmi Liçi.

Gjatë kohës së deklarimit të këtyre të dhënave, Nazmi Liçi, ishte bllokuar brenda në makinën e tij, nga Jorgo Zhidro, i cili e kishte qëlluar disa herë me grushta.

Jorgo Zhidro, në dëshminë e dhënë në polici ka rëfyer se me Nazmi Liçin, kanë qenë shokë por që prej 2 vitesh nuk shoqërohen me njëri-tjetrin. Zhidro, ka shpjeguar se me Ambri Sinakolin, nuk ka pasur konflikt por ka vënë re nga ana e Ambrit, një farë inati të vjetër, ku sipas tij herë pas here, Sinakoli i bën manovra me makinë kur shihen.

Ndërkohë dyshimet e Jorgo Zhidron, se makinën e kishte djegur pikërisht Nazmi Liçi, vinin për faktin se ai ishte identifikuar përmes veshjes.

“…unë pashë kamerat e sigurisë të shtëpisë, ku dallova një person, i veshur me tuta dhe bluzë të bardhë (kostum sportiv) dhe një jelek ngjyrë të errët, me kapele sportive, ngjyrë të bardhë, i cili dukej qartë të bënte levizje, ku mbante në dorë një bidon plastik rreth 1.5 litra, me të cilin s’përkiste me një lëng makinën Golf dhe fugonin. Nga këqyrja e pamjeve filmike, dyshova se personi, i cili kishte djegur makinat ishte Nazmi Liçi, të cilin e kam patur komshi te lagja disa kohë më parë, por që tani është larguar nga aty. Gjithashtu, dua të sqaroj se Nazmi Liçin e kam parë më të njëjtat rroba edhe dy-tre ditë para, ku ka lëvizur përpara shtëpisë time. Pasi pamë pamjet filmike, menduam me djalin dhe pjesëtarët e tjerë të familjes që do takojmë Nazmiun, së bashku me prindërit e tij, për të s’qaruar nëse ishte Nazmiu apo jo dhe arsyen pse e kishte bërë këtë gjë…” – ka treguar në polici babai i Jorgo Zhidros, shtetasi Ardjan Zhidro.

Ky i fundit shton se pasditen e 15 Marsit 2023, teksa lëvizte me djalin e tij në makinë, Nazmi Liçi, i ka parakaluar me një “Audi A6”.

Ai është vënë nga pas duke e ndjekur, por në momentin që Liçi, ka hyrë në ambientet e Bar-Kafe-Lavazh “Universi”, nuk e ka ndjekur më.

Në pyetje rreth kësaj ngjarje është marrë dhe Nazmi Liçi, i cili jep një deklaratë krejt ndryshe nga ajo që ka folur në video-përgjimin prej 1 minuta e 12 sekonda.

Në dëshminë e tij, Nazmi Liçi, shprehet se një grup prej disa personave, mes të cilëve Jorgo Zhidro dhe Usama Gashi, e kanë mbajtur peng në ambientet e resort “Panorama”, duke e dhunuar për disa orë.

“…në datën 15 Mars, rreth orës 11:00 teksa kam qenë i vetëm në afërsi të lagjes “Vullnetari”, me mjetin të cilin e kam marë me qëra, tip “AUDI”. Përpara meje, qëndroi një makinë tip “Audi” i Zi me xhama të zinj. Nga ky mjet zbriti Ardjan Zhidro, i cili u afrua drejt makinës time dhe i tha që donte të pinte një kafe me të. Unë duke qenë se e njoh Ardjanin, pranova. Ardjani më tha se do iknin te lokali i tij “Panorama”. Ardjani, u ul përpara si pasagjer në “Audin” e Nazmiut, kurse “Audi i zi” i shoqëroi. Kur kemi zbritur të “Panorama”, kanë shkuar tek pjesa ku pihet Shisha. Pas tij kanë ardhur edhe shumë persona të tjerë, gati 6-7 persona, ku ndër këta kam njohur djalin e Ardjanit që quhet Jorgo Zhidro dhe Usama Gashin. Këta persona që erdhën filluan të godisnin me grushta, shkopa bejsbolli dhe sende të tjera. Më kanë goditur në fytyrë dhe në trup. Gjithashtu më kanë thyer edhe celularin që kisha me vete. Pasi më rrahën për afro 2-3 orë, Jorgo Zhidro, më ka çuar në qytet me mjetin “Audi” të Nazmiut dhe personat e tjerë që ishin aty nuk i pa se ku shkuan…” – ka dëshmuar Nazmi Liçi.

Ky i fundit ka shtuar se me personat në fjalë nuk ka ndonjë konflikt, por ata e akuzojnë se ai i ka djegur makinën e tyre. Por sipas tij, kjo gjë nuk është e vërtetë.

Për zbardhjen e kësaj çështje policia kriminale e Elbasanit, ka ushtruar kontroll në disa banesa, përfshirë këtu dhe në lavazhin që është në pronësi të Fejzulla Çapjas. Për këto ngjarje, policia kriminale e Elbasanit ka arrestuar për “Shkatërrim të pronës me zjarr”, Ambri Sinakolin, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 60 ditor. Në pranga ra dhe vetë pronari i makinës të djegur, Jorgo Zhidro, për të cilin gjykata vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie. Si autor të zjarrvënies ndaj makinës “Golf 7” dhe një furgoni, policia arrestoi Nazmi Liçin, ndaj të cilit gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg”

Advertisement

TRENDING