Politike
Ndizet situata, Jozefina Topalli prezanton partinë e re, Berisha i del në krah dhe i çon sinjale të ashpra Bashës
Zgjedhjet e 25 prillit e gjejnë Partinë Demokratike të ndarë në shumë fraksione. Pas Astrit Patozit, Myslim Murrizit apo Rudina Hajdarit edhe Jozefina Topalli është tani me parti të re. Ditën e djeshme, në një ceremoni ish-kryeparlamentarja ka prezantuar partinë e re “Lëvizja për Ndryshim”, pasi sipas saj premton sfidën për të ndryshuar këtë vend. Topalli u shpreh se tre krerët e partive në vend po mbajnë peng 3 milionë shqiptarë, duke shtuar se qytetarët nuk do ta ulin kokën përballë një situate që iu ka hequr meritokracinë dhe përfaqësimin. Sipas Topallit, gjërat nuk do të ndryshojnë nëse nuk do të ketë lëvizje dhe bashkim të forcave të reja. “Ndërkohë që 3 kryetarë nuk mund të mbajnë peng 3 milionë shqiptarë. Këta të fundit nuk kanë pse të presin që fëmijët e tyre që ende i kanë në shtëpi të ikin nga shtëpia e tyre drejt emigracionit. Ka gjithmonë dy mundësi në jetë: Të pranosh kushtet në të cilat jeton apo të marrësh përgjegjësinë për të ndryshuar. Por mos të pretendojmë se gjërat ndryshojnë nëse vazhdojmë t’i bëjmë në të njëjtën mënyrë. Ndërkohë të rinjtë kanë privilegjin e mundësinë të sjellin ndryshimin e shpresës tek një vend pa shpresë! Shqiptarët nuk ulin kokën përballë një situate paradoksi që i ka hequr përfaqësimin, meritokracinë, shpresën e dinjitetin. Ata e dinë se jeta nuk bëhet më e mirë nga shansi, por nga ndryshimi. Ne kemi nevojë për aksion për të arritur ndryshimin”, tha Topalli. Ish-kryeparlamentarja theksoi se Shqipëria nuk është as e Ramës, as e Metës dhe as e Bashës, por vetëm e qytetarëve, duke shtuar se vendi ka nevojë urgjente për ndryshim. “Bashkë ne duhet t’i japim mundësinë e ndryshimit për të cilët vendi ka nevojë. E shpresa të fitojë mbi dëshpërimin. Nuk duhet të ketë një Shqipëri të Ramës, një Shqipëri të Metës e një Shqipëri të Lulit. Shqipëria është vetëm e shqiptarëve. Dhe këta të fundit nuk mund të dorëzohen. Ata duhet ta rifitojnë atdheun e tyre. Unë kurrë nuk e kam humbur shpresën në këta vitet e fundit. Unë jam trishtuar. Shpesh herë si shumë të tjerë kam qenë e frustruar. Por kurrë nuk kam humbur shpresën”, tha Topalli.
Pabesia e qeverisë dhe opozitës
Për ish-kryeparlamentaren vendi nuk ka më as qeveri dhe as opozitë, duke u bërë thirrje shqiptarëve për injorim të tyre. Sipas saj, për faj të tyre vendi ndodhet në situata jo të mira dhe pa një sistem drejtësie të kompletuar. “Sot i them çdonjërit se sfidat me të cilat ne përballemi janë reale. Ata janë serioze dhe janë të shumta. Se janë të vështira dhe nuk zgjidhen duke u fshehur. Dhe ata nuk zgjidhen në një sistem të rreme si ky i joni, ku nuk ka as qeveri as opozitë të besueshme; ku qytetari nuk ka ku të gjejë drejtësi sepse nuk ka as Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të Lartë; ku Gjykata Administrative është afër kolapsit dhe ata të Shkallës së Parë kanë degraduar. Në vendin tonë askush nuk i del për zot njeriut në vështirësi, as lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha Topalli.
Berisha i del në krah
Shfaqja e beftë e Jozefina Topallit ka ngjallur mjaft pikëpyetje. Partia u prezantua në një kohë kur raportet Berisha-Basha janë tensionuar. Genc Ruli i ka dërguar disa mesazhe Berishës se ka ardhur koha e largimit. Ndërkohë vetëm pak ditë më parë Topalli u fotografua në kafe me zëdhënësen e Berishës. Por ish-kryeministri foli dje për këtë çështje, ku ndryshe nga Basha, nuk i sulmoi Topallin, Patozin dhe emrat e tjerë duke dërguar mesazhe të qartë ndaj liderit demokrat. “Nëse kthehemi në vitin 90 në vitin 90 unë pata disa shkrime në njërën prej tyre unë jam shprehur ‘thelbi i lirisë është zgjedhja e njeriut’. Kjo është thelbi i filozofisë ekzistencialiste, e cila në një farë mënyrë është filozofia e bashkëkohësisë e shekullit që shkoi dhe pasuroi shumë njerëzimin. Unë këtij mendimi i jam përmbajtur dhe i përmbahem”, tha ai.
sotnews/