Rajon
Ndodhej në grevë prej 22 ditësh/ Shqiptari ia del, Prokuroria pranon zhvarrosjen e të birit
Prokuroria e Shkallës së Parë në Larisa ka miratuar kërkesën e plotë të shqiptarit Pano Ruçi për zhvarrosjen dhe kryerjen e analizave toksikologjike mbi trupin e të birit, Denis Ruçi, një prej viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Tempi.
Vendimi vjen pas një kërkese këmbëngulëse të të atit, i cili prej 22 ditësh ndodhet në grevë urie në sheshin Syntagma, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së të birit.
Më herët ishte miratuar vetëm zhvarrosja dhe analiza e ADN-së për identifikimin e trupit, por ky hap nuk e kënaqi shqiptarin, i cili kërkonte hetim më të thelluar. Miratimi për analizat toksikologjike u dha sot nga prokuroria kompetente, e cila sqaroi se ky vendim nuk nënkupton rihapjen e hetimit penal për aksidentin, por përbën një proces të veçantë dhe të kufizuar në kërkesat specifike të familjes.
Data e fillimit të procesit gjyqësor lidhur me aksidentin në Tempi pritet të përcaktohet gjatë ditës. Ndërkohë, rezultatet e analizave nga zhvarrimi do të përfshihen në një dosje të veçantë, që nuk ndikon drejtpërdrejt në çështjen penale, por ka rëndësi për zbardhjen e aspekteve shtesë të incidentit.
Aksidenti tragjik në Tempi, i ndodhur në shkurt të vitit 2023, tronditi Greqinë dhe shkaktoi dhjetëra viktima, ndërsa shumë familje ende kërkojnë drejtësi dhe përgjigje të plota për humbjen e të afërmve.