Connect with us

Politike

NEGOCIATAT/ RAMA: NA KA BUZEQESHUR FATI

Kryeministri Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë për për ecurinë e procesin e negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rama tha se Shqipërisë i ka buzëqeshur fati si asnjëherë më parë. Tashmë të gjitha yjet janë bashkuar për të realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve.
“Kurrë asnjëherë më parë Shqipëria nuk e ka pasur buzëqeshjen e fatit siç e ka sot. Kur them sot, në këto vite të fundit. Asnjëherë Shqipërisë nuk i ka buzëqeshur fati në sensin e të ardhmes së mundshme të njerëzve për të qenë të lirë, të barabartë para ligjit dhe për të pasur në dispozicion jo një vend 28 mijë km katrorë, por një kontinent të tërë si vendas. Kjo nuk është rruga drejt parajsës, por rruga e sigurt drejt një realiteti ku për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët do të jenë më të sigurt dhe të mbrojtur nga çfarëdo rrethane e historisë në dëm të tyre. Po na buzëqesh fati sepse janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë rresht në mbështetjen e kësaj ëndrre shekullore të shqiptarëve që kanë parë nga perëndimi, por gjithnjë pamja u është mbyllur. Nga një anë kemi bërë një punë të madhe për ta ndryshuar pozicionin e Shqipërisë që deri dje ishte e përbuzur dhe për këtë janë dëshmitarë gjithë shqiptarët që janë jashtë apo dilnin jashtë dhe mjafton të shikonin fytyrën e policit në kufi”, tha Rama.

Kryeministri tha se integrimi i Shqipërisë në BE sjell mundësi të barabarta për arsimimin e tyre duke nisur nga pagesat, shërbimet apo tregu i punës, njësoj si studentët europianë.

“Nuk keni të njëjtat kushte si të studentëve europianë dhe pavarësisht se mund të jeni shumë të zotë, nëse regjistroheni në shkollë, paguani shumë më tepër sesa studentët europianë sepse jeni të huaj. Me anëtarësimin në BE, kjo ndryshon krejtësisht. Ju jeni vendas si këtu në Tiranë, si në një auditor në Lisbonë apo Varshavë, si në një universitet në një nga qytetet e Shqipërisë apo në cilindo nga qytetet e Europës. Nuk paguani më shumë, nuk keni asnjë vështirësi më shumë për të pasur akses në shërbime dhe nuk jeni të huaj kur vjen fjala për tregun e punës dhe mund ta zgjidhni punën jo më thjesht brenda kufijve të Tiranës, Shqipërisë apo të një qyteti që mund të njihni dikë, por mund të kërkoni punë në çdo qytet të Europës. Askush nuk ju sheh dhe t’ju thotë nga je ti se këtu është BE. Kjo është një përpjekje që ka kuptim dhe impakt të drejtpërdrejtë për gjithsecilin prej jush. Nuk bëhet fjalë për një kapërcim formal, por për një ndryshim thelbësor të pozicionit dhe raporteve mes vendit e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë europianë”, tha Rama.

Advertisement