Politike
Nga kecat në deputete dhe protesta/ Marjana Koçeku: Edi Rama nuk është Shqipëria
Ndërsa protestat kundër ndërtimeve të planifikuara në zonat e mbrojtura natyrore në Shqipëri vazhdojnë, deputetja e pavarur Marjana Koçeku deklaron se Bashkimi Evropian duhet të ndalojë së trajtuari kryeministrin Edi Rama si përfaqësuesin e vetëm të zërit evropian të vendit.
Në një intervistë për Euractiv, Koçeku, e cila u largua muajin e kaluar nga Partia Socialiste, thekson se Shqipëria nuk mund të identifikohet vetëm me kryeministrin.
“Rama nuk është Shqipëria”, shprehet ajo.
Sipas Koçekut, vendimi për t’u larguar nga Partia Socialiste erdhi pasi arriti në përfundimin se nuk mund të ishte më pjesë e një force politike që, sipas saj, po ndjek politika në dëm të mjedisit.
“Nuk mund t’i përkisja më një grupi që jo vetëm nuk e mbështet mbrojtjen e mjedisit, por harton politika që e dëmtojnë atë. Po, kam mbështetur edhe nisma të kolegëve të opozitës, sepse e konsideroj këtë të drejtën time qytetare”, deklaron ajo.
Prej më shumë se një muaji, qytetarë në Shqipëri kanë protestuar kundër mënyrës se si qeveria po trajton projektet e propozuara për zhvillimin e turizmit luksoz pranë ekosistemit të mbrojtur Vjosë-Nartë. Mes projekteve të përmendura janë edhe investime të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Kur protestat mbërritën në Tiranë, ato tashmë njiheshin me emrin “Revolucioni i Flamingove”, një referencë ndaj flamingove që banojnë në këtë zonë të mbrojtur.
Për Koçekun, ky emërtim simbolizon një ndryshim më të thellë në mënyrën se si brezi i ri e sheh pushtetin, përfaqësimin politik dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
“Ne besojmë te vlerat evropiane, por kjo nuk do të thotë se mbështesim kryeministrin apo qeverinë tonë”, thotë ajo.
“Rama nuk ka më legjitimitet”
Deputetja e konsideron protestën si shprehje të një krize të gjatë legjitimiteti politik dhe të pakënaqësisë së qytetarëve, të cilët ndihen të përjashtuar nga vendimmarrjet që prekin interesin publik.
Sipas saj, shumë vendime merren përmes procedurave jo transparente, me leje të paqarta, interesa private dhe konsultime të kufizuara me publikun.
“Nuk ka më legjitimitet, as për qeverinë dhe as për opozitën tradicionale. Të dyja kanë treguar se punojnë vetëm për një grup të ngushtë interesash”, deklaron Koçeku.
Përplasja me narrativën e qeverisë
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat si të ekzagjeruara nga kundërshtarët politikë, influencuesit dhe aktivistët në rrjetet sociale, duke i përshkruar si “histeri digjitale” dhe “revolucion imagjinar”.
Koçeku kundërshton këtë qëndrim.
“Ai po përdor median për të krijuar bindjen se, nëse protestojmë, po dëmtojmë procesin e integrimit evropian dhe besimin e Bashkimit Evropian. Por është e qartë se politikanët tanë e kanë humbur kontaktin me realitetin”, thotë ajo.
E pyetur nëse protestat mund të kenë dëmtuar aspiratat evropiane të Shqipërisë, Koçeku vë në diskutim vetë mënyrën se si BE-ja e sheh procesin e zgjerimit.
Sipas saj, Bashkimi Evropian e ka fokusuar shpesh procesin e integrimit te reformat institucionale, raportet zyrtare dhe marrëdhëniet me qeveritë, duke rrezikuar të barazojë shtetin me shoqërinë dhe liderin me vetë vendin.
“BE-ja duhet të krijojë lidhje të drejtpërdrejta me qytetarët, sepse integrimi evropian nuk duhet të jetë vetëm një proces burokratik”, shprehet ajo.
Koçeku shton se janë qytetarët ata që mund të tregojnë nëse reformat ndihen realisht në jetën e përditshme.
Deputetja kujton se hyri në Kuvend në vitin 2025, në moshën 24-vjeçare. Më parë kishte themeluar lëvizjen Neomalsore, e fokusuar te zhvillimi i qëndrueshëm dhe komunitetet në veri të Shqipërisë.
Ajo ka studiuar Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike në Itali dhe, si shumë të rinj shqiptarë, kishte menduar të ndërtonte karrierën atje.
Megjithatë, oferta për t’iu bashkuar Partisë Socialiste iu duk një mundësi për të kontribuar në politikë dhe për të dhënë shembull, veçanërisht duke qenë se vinte nga një rajon që, sipas saj, ka qenë historikisht i nënpërfaqësuar dhe ku gratë e të rinjtë kanë pasur më pak mundësi.
Por, sipas Koçekut, me kalimin e kohës u përball me probleme që lidhen me funksionimin e brendshëm të partisë dhe mungesën e transparencës.
Ajo thotë se mënyra se si funksionojnë partitë politike pasqyron edhe mënyrën se si ndërtohet dhe drejtohet vetë shteti.
“Të rinjtë janë më evropianë se elita politike”
Koçeku thotë se largimi i saj nga Partia Socialiste ishte një proces i gradualshëm, i cili u përshpejtua gjatë zhvillimit të protestave.
“Njerëzit do të vazhdojnë të ngrihen dhe nuk do të harrojnë”, deklaron ajo, duke shtuar se protestat duhet ta detyrojnë qeverinë të reflektojë seriozisht mbi mënyrën se si miraton ligjet dhe interesat që ato u shërbejnë.
Sipas saj, brezi i ri shqiptar është më i ndërgjegjshëm politikisht dhe më pranë vlerave evropiane sesa elita aktuale politike.
“Brezi i ri është shumë më i kulturuar politikisht dhe shumë më evropian se elita politike. Kjo është Shqipëria që unë dua të shohë Brukseli”, përfundon Koçeku.