Kronike
Ngjarja tragjike në Athinë/ Publikohet fotoja e dy shqiptarëve, vëlla e motër që humbën jetën
Personat që shihni në foto janë Flori dhe Florida Hoxha, vëlla e motër, të cilët humbën jetën tragjikisht pas shpërthimit dhe shembjes së një godine në lagjen e Plakës, në Athinë.
Sipas informacioneve të publikuara në media, mes viktimave është edhe Eris Cani, bashkëshortja e Florit. Tre shtetasit shqiptarë ndodheshin në kryeqytetin grek për turizëm, kur ndodhi ngjarja tragjike.
Gjashtë viktima nga shpërthimi
Përveç tre shqiptarëve, viktimat e identifikuara janë Ian Alexander Kirkpatrick, Edmond Hings dhe Athina Papapresku.
Shpërthimi ndodhi në një godinë në zonën e Plakës dhe shkaktoi shembjen e saj. Forcat e kërkim-shpëtimit punuan për orë të tëra në rrënoja, në përpjekje për të gjetur personat që ndodheshin brenda godinës.
Autoritetet greke kanë bërë me dije se operacioni i kërkim-shpëtimit ka përfunduar dhe nuk dyshohet se ka persona të tjerë të mbetur nën rrënoja.
Tronditet komuniteti shqiptar në Greqi
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe edhe në komunitetin shqiptar në Greqi. Mes gjashtë viktimave janë tre shtetas shqiptarë, ndërsa humbja e Florit dhe Floridës, vëlla e motër, e ka bërë edhe më të rëndë bilancin e kësaj tragjedie.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit që çoi në shembjen e godinës.