Connect with us

Aktualitet

FLAKËT MBËRRIJNË NË RANËN E HEDHUN/ Zjarr masiv përfshin zonën turistike në Lezhë

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë zonën e Ranës së Hedhun, duke u përhapur me shpejtësi në drejtim të sipërfaqeve me pisha.

Sipas informacioneve paraprake, flakët janë favorizuar nga bimësia e dendur dhe kushtet në terren, çka ka vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në vendngjarje ndodhen disa mjete dhe efektivë të shërbimit zjarrfikës, të cilët po punojnë për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit.

Burime nga zona bëjnë me dije se flakët janë afruar pranë disa strukturave akomoduese, duke rritur rrezikun për përhapje të mëtejshme. Autoritetet po ndërhyjnë për të mbrojtur objektet përreth dhe për të shmangur dëme të tjera materiale.

Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit vijon.

Nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, Fatjon Zefi, deklaroi për mediat se zjarri ka rënë rreth orës 13:00 në rrugën “Riviera”. Ai tha se janë bërë të gjitha njoftimet e nevojshme dhe janë angazhuar forca zjarrfikëse edhe nga bashki të tjera, përfshirë Tiranën, Mirditën, Kamzën dhe Vaun e Dejës. Në operacion janë përfshirë gjithashtu katër mjete zjarrfikëse të Bashkisë Lezhë, si dhe tre autobotë nga subjekte private.

Sipas Zefit, zjarri po shkon drejt shuarjes, ndërsa shkaqet ende nuk dihen dhe po kryhen verifikimet përkatëse. Ai theksoi se nuk ka pasur prekje të strukturave akomoduese, pasi situata është vënë nën kontroll në kohë të shpejtë.

Advertisement