Shkrime
Dhoma e pritjes mbetet e zbrazët/ Shqipëria dhe Ballkani mes ndikimit europian, rus dhe kinez
Për zgjerimin e ngadalësuar të Bashkimit Evropian janë përgjegjëse vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të zbatimit të dobët të reformave demokratike, por edhe vetë Bashkimi Evropian, i cili për një kohë të gjatë i ka dhënë përparësi stabilitetit në dëm të demokracisë në rajon.
EUobserver ngre pyetjen nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të arrijnë ndonjëherë të bëhen anëtare të BE-së dhe paralajmëron se kjo “sjell rreziqe gjeopolitike për Evropën, pasi fuqi të jashtme po përpiqen të forcojnë ndikimin e tyre në rajon”.
“Shikoni vetëm Serbinë”, thekson portali, duke shtuar se “në Serbi, megjithëse vend kandidat për anëtarësim, mbështetja për hyrjen në BE është më e ulëta në rajon dhe vetëm 33 për qind e qytetarëve e mbështesin atë”. “Serbia, nën presidentin Aleksandar Vuçiç, vazhdon të mbështetet te gazi rus dhe po thellon bashkëpunimin me Kinën”, shkruan EUobserver.
Në mbështetje të këtij vlerësimi, portali i referohet edhe një analize të veçantë ku thuhet se “studentët serbë dhe diaspora nuk po heqin dorë nga presioni ndaj Vuçiçit për të shpallur zgjedhje, por Bashkimi Evropian nuk po i ndihmon në këtë drejtim”.
Shkrimi në EUobserver
Në vitin 2003, Bashkimi Europian u premtoi vendeve të Ballkanit Perëndimor se një ditë do të bëheshin anëtare të unionit. Kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe ato ende mbeten jashtë. Pse vazhdojnë të presin? Dhe a do të vijë ndonjëherë ajo ditë?
Kjo ndodh pavarësisht faktit se disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë qenë shumë më të avancuara në procesin e anëtarësimit sesa Ukraina. Pra, cilat vende kanë më shumë gjasa të anëtarësohen të parat?
Për momentin, Mali i Zi duket më pranë anëtarësimit, i ndjekur nga Shqipëria. Por edhe për këto vende kryesuese, mbeten pengesa të konsiderueshme. Problemi më i vazhdueshëm në rajon është prapakthimi demokratik, përfshirë korrupsionin sistemik dhe mungesën e transparencës.
Bisedimet e zhvilluara në Mal të Zi gjatë muajit mars nxorën në pah se, megjithëse vendi ndodhet në “fazën finale” të negociatave, Brukseli ende pret që ai të përshpejtojë reformat dhe të ndërtojë institucione të forta të afta për të mbrojtur demokracinë.
Rasti i Shqipërisë e ilustron edhe më qartë këtë sfidë. Edhe pse kryeministri Edi Rama shpesh duket si një figurë natyrale në tryezën e liderëve të BE-së, në realitet vendi i tij ka rrëshqitur drejt një shteti de facto njëpartiak që prej ardhjes së tij në pushtet trembëdhjetë vite më parë.
Sipas Transparency International, Shqipëria vazhdon të regjistrojë nivele të larta korrupsioni. Prabakthimi demokratik është përhapur në të gjithë rajonin. Të paktën kështu tregon Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025.
A mban Bashkimi Europian një pjesë të përgjegjësisë për këtë situatë?
Disa ekspertë mendojnë se po. Ata argumentojnë se disa aspekte të politikës së zgjerimit të BE-së kanë favorizuar prej kohësh stabilitetin e regjimeve më shumë sesa demokracinë.
Procesi funksionon në këtë mënyrë: BE-ja u ofron vendeve kandidate asistencë financiare dhe teknike, në mënyrë që ato të përshtatin atë që njihet si acquis i BE-së — me fjalë të tjera, kuadrin ligjor dhe rregullator të unionit.
Por për shumë studiues, kjo çon vetëm në adoptim sipërfaqësor të normave dhe nuk arrin të ndryshojë realitetet politike të rajonit.
Së dyti, ritmi i ngadaltë i integrimit është vetë pjesë e problemit. Kur elitat qeverisëse shohin se anëtarësimi nuk ka gjasa të realizohet gjatë karrierës së tyre politike, ato kanë pak motivim për të çuar përpara reforma të vështira.
Megjithatë, për Bashkimin Europian ka shumë në lojë.
Zvarritja e zgjerimit sjell gjithashtu rreziqe gjeopolitike në rritje për Europën në tërësi, sepse fuqi të jashtme po përpiqen të konsolidojnë ndikimin e tyre në rajon.
Mjafton të shohim Serbinë. Pavarësisht se është vend kandidat, mbështetja për anëtarësimin në BE atje është më e ulëta në rajon, vetëm 33 për qind.
Nën drejtimin e presidentit Aleksandar Vuçiç, vendi vazhdon të mbështetet te gazi rus dhe të thellojë bashkëpunimin me Kinën.
E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjën dhe Hercegovinën, ku lideri i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, mbështet hapur afrimin me Moskën.
Kina gjithashtu ka krijuar një prani të konsiderueshme në rajon, duke investuar 32 miliardë euro që nga viti 2014, kryesisht përmes projekteve të infrastrukturës dhe energjisë.
Për të thyer ngërçin, po fitojnë terren qasje alternative.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë mbron atë që e quan “integrim operacional”, përfshirjen e institucioneve të Ballkanit Perëndimor në procese dhe agjenci të përzgjedhura të BE-së pa u dhënë anëtarësim të plotë.
Vetëm pak ditë më parë, kancelari gjerman Friedrich Merz hodhi idenë e “vendeve të asociuara”, të cilat mund të marrin pjesërisht pjesë në negociatat e BE-së. Ai i referohej kryesisht Ukrainës.
Por ideja e anëtarësimit gradual diskutohet prej kohësh dhe mund të fitojë vrull nëse ekziston vullneti politik brenda unionit.
Por, duke iu rikthyer pyetjes sonë fillestare: kur mund t’i bashkohet Ballkani Perëndimor BE-së?
Mali i Zi kishte shpresuar të bëhej anëtar që në vitin 2028, vetëm dy vjet nga tani. Por ky afat mund të rezultojë i vështirë për t’u arritur për të gjitha arsyet që përmendëm.
Prandaj, fillimi i viteve 2030 tingëllon më realist, megjithëse nuk ka absolutisht asnjë garanci.
Edhe vetë Bashkimi Europian duhet të zgjidhë disa çështje të brendshme përpara se të mirëpresë anëtarë të rinj, përfshirë çështjen e unanimitetit në vendimmarrje për politika të caktuara.