Thinking ...
Connect with us

Politike

Pagat e gjyqtarëve/ Kryeministri Rama ngre tonin: Nuk do lejojmë të na imponohen

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar sërish tonet në debatin për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kundërshtuar deklaratat e një gjyqtari që e kishte cilësuar çështjen si politike.

Rama deklaron se politika e pagave është kompetencë e qeverisë dhe parlamentit dhe se askush nuk mund t’i diktojë Kuvendit mënyrën se si duhet të votojë.

“Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese mund të bëhet vetëm në rast të cenimit të një parimi apo norme kushtetuese, ndërsa vendimmarrja për pagat mbetet në kompetencën e institucioneve politike.

Rama ngriti gjithashtu shqetësimin për mundësinë që shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përdorin mjete juridike për të kërkuar rritje pagash.

Nëse, sipas tij, këto veprime do të koordinoheshin me strukturat e drejtësisë “si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë”, atëherë Shqipëria do të përballej me një “sfidë të një lloji të ri”.

Rama tha se nuk bëhet fjalë për inat, por për një çështje që e cilësoi si “sfidë shtetbërjeje europiane”.

Pavarësisht përplasjes publike, kryeministri tha se tryeza e dialogut me përfaqësuesit e drejtësisë mbetet e hapur dhe se pas datës 17 shtator duhet të vijojë komunikimi mes pushteteve të pavarura.

Debati për pagat e gjyqtarëve vijon të mbetet një prej pikave më të nxehta të përplasjes publike mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë.

Advertisement