Bota
GATI T’I JAPE FUND LUFTES PA RIHAPJEN E HORMUZIT
Presidenti amerikan Donald Trump u ka thënë ndihmësve se është i gatshëm të përfundojë fushatën ushtarake kundër Iranit edhe nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, raporton Wall Street Journal.
Mbyllja e ngushticës ka rritur çmimet e naftës dhe ushqimeve globalisht, duke goditur veçanërisht ekonomitë europiane dhe britanike.
Në platformën e tij, “Truth Social”, Trump shkroi për përparim në bisedimet me Iranin dhe tha se SHBA-të po flasin me një “regjim më të arsyeshëm”. Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse nuk arrihet një marrëveshje, SHBA do të sulmojnë termocentralet, puset e naftës dhe ishullin Kharg.
Nga fillimi i konfliktit, çmimet e naftës kanë arritur rreth 116 dollarë për fuçi, afër nivelit më të lartë që nga fillimi i luftës, duke reflektuar ndikimin e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.