✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Pas Luksemburgut, Rama kthehet te PS-ja/ Dy çështje në tryezën e mbledhjes

Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një mbledhje të zgjeruar me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe ministrat në Pallatin e Brigadave, menjëherë pas kthimit nga Luksemburgu, ku zhvillohet konferenca e dhjetë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Sipas raportimit të gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, në fokus të takimit do të jenë dy çështje kryesore. E para lidhet me raportimin mbi ecurinë e të ashtuquajturës “Prania Besnike”, ku deputetët socialistë do të kenë nga dy minuta secili për të paraqitur pyetje, komente apo diskutime.

Çështja e dytë në rendin e ditës është prezantimi i “Pasqyrë Albania”. Në përfundim të mbledhjes, konkluzionet dhe porositë për vijimin e punës pritet të jepen nga kryeministri Edi Rama dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Takimi i kësaj të mërkure vjen në vazhdën e mbledhjeve të formatit të zgjeruar, ku marrin pjesë deputetët socialistë dhe ministrat. Këto takime zhvillohen zakonisht të shtunën e fundit të çdo muaji, me synimin për të diskutuar çështjet e punës parlamentare dhe angazhimet e mazhorancës.

Megjithatë, këtë herë është zgjedhur dita e mërkurë, pasi mbledhja e fundit e shtatorit u përqendrua te diskutimet dhe votimi në Kuvend i hartës së re territoriale. Takimi i radhës pritet të shërbejë për vijimin e koordinimit mes grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, ndërsa temat e përcaktuara në agjendë do të jenë në qendër të diskutimeve.

Advertisement