Kronike
Përjashtohen nga Parlamenti dy deputetë demokratë
Sekretariati i Etikës, ka përjashtuar nga punimet e Kuvendit këtë të martë, 7 prill, dy deputetë demokratë, Flamur Nokën dhe Elda Hotin.
Noka është përjashtuar me 20 ditë, ndërsa Hoti me 10 ditë.
Ishin socialistët ata të cilët kërkuan përjashtimin e demokratëve (më 3 prill), mes tyre dhe të Albana Vokshit.
Kujtojmë se seanca plenare e 2 prillit nuk kaloi pa debate midis opozitës dhe mazhorancës, çka dhe pasoi në këtë kërkesë të socialistëve për përjashtim.
Noka mori dhe vërejtje për shkak se goditi disa herë foltoren e Kuvendit.
Përplasjet më të forta nisën për kërkesën e 1 minutë heshtjeje për dëshmorët e 2 prillit. Balla argumentoi se “Në grupin tim parlamentar ka deputetë nga të gjitha qarqet e Shqipërisë, ata të Shkodrës kanë kërkuar që sot të mbahet 1 minutë heshtje në përkujtim të dëshmorëve të demokracisë”. Më pas, deputeti Flamur Noka shpërtheu me thirrjet: Nxirre përjashtë! Narko-deputet! Dhunues, vrasës…
Balla bëri me dije (përgjatë seancës) se deputetja Elda Hoti që i ka marrë kartën socialistes Bora Muzhaqim e se për këtë gjë do të përballet me pasojat, sipas rregullores së Kuvendit. Ndërkohë, deputeti Klevis Balliu pretendoi se Balla e ka kërcënuar Hotin, duke i thënë “ta tregoj unë ty”.
Shpërthime me tone të ashpra pati dhe nga ana e deputeteve gra, Vokshit dhe Hotit.
NTV.AL