Kronike
Përplasën patrullat dhe braktisën makinat: Si përfundoi operacioni për 15 emigrantët
Dy persona janë shpallur në kërkim dhe një tjetër është proceduar penalisht pas një operacioni policor lidhur me dyshimet për transportimin e 15 emigrantëve të parregullt në territorin shqiptar.
Operacioni nisi në zonën e fshatit Kapshticë të Devollit dhe vijoi deri në qytetin e Gramshit.
Sipas policisë, shërbimet kanë konstatuar dy automjete tip “Audi Q7” në afërsi të fshatit Kapshticë. Automjetet dyshohet se po përdoreshin për transportimin e një grupi emigrantësh. Drejtuesit e tyre nuk i janë bindur urdhrit të policisë për ndalim, duke bërë që shërbimet të nisin ndjekjen.
Gjatë lëvizjes, drejtuesit e dy automjeteve kanë lënë rreth 15 emigrantë në afërsi të Lozhanit dhe më pas janë larguar në drejtim të Gramshit.
Në Gramsh, automjetet janë përballur me një postbllok policie. Sipas të dhënave të policisë, drejtuesit kanë përplasur dy mjete të patrullave dhe më pas kanë vijuar lëvizjen, duke u larguar nga vendi.
Dy automjetet “Audi Q7” janë gjetur më vonë të braktisura në dy fshatra të Gramshit dhe janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, 15 emigrantët janë gjetur të fshehur në një përrua pranë fshatit Lozhan, në territorin e Maliqit.
Pas veprimeve hetimore, policia ka identifikuar dy drejtuesit e automjeteve, të cilët janë shpallur në kërkim. Një person i tretë është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Autoritetet vijojnë punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në aktivitetin e dyshuar të transportimit të emigrantëve.