Aktualitet
“Politika shqiptare është sëmundja e shoqërisë”/ Thirrja e fortë për vetëshpërndarjen e Kuvendit
Nga Artan Fuga
Në këto ditë të nxehta zgjimi të qytetarisë shqiptare, të mbushura me entuziazëm dhe shpresa se politika nuk do të jetë më sëmundja kanceroze e shoqërisë shqiptare, por mekanizmi i emancipimit shoqëror, duke kthyer shpresën ndër shqiptarët, ditë sa historike, por edhe të rrezikshme, një pyetje themelore është se :
Çfarë i ndodhi politikës shqiptare?
Përse degradoi në këtë mënyrë sistemi partiak i përfaqësimit të vullnetit popullor?
E prej këtej të kuptojmë edhe pakënaqësinë, mosbesimin, neverinë e hak-ashme shqiptare ndaj politikës së sotme.
Shkurt këtu si studjues, por edhe si autor që kam tre dekada që tund zilen e alarmit për këtë proces degradimi, paraqes tre teza të shpejta:
Teza e parë: Sistemi politik i partive të sotme nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve shqiptarëve, pra të kombit!
Jo sepse parimisht është i papërdorshëm. Në asnjë mënyrë jo! Parlamentarizmi përfaqëson një nga zbulimet e mëdha të njerëzimit, ndoshta më të madhin zbulim në botë, një mekanizëm progresi social. Por, në kuptimin se historia e solli që te ne, për shkaqe rrethanore ai degradoi hap pas hapi derisa e ka sjellë kombin në këto ditë të një krize sociale dhe politike shumë të rëndë dhe të rrezikshme.
Kush e mban përgjegjësinë për këtë?
A nuk duhet t’i thonë vetes “mjaft!” ata që kishin marrë përsipër të bënin të kundërtën dhe dështuan?!
Nuk ka nevojë ta thërrasë sheshi dështimin e politikës, e ka thënë raporti i BE kur thekson problemet që kanë të bëjnë me atë si partitë politike në Shqipëri kontrollojnë shtetin dhe administratën, si zgjedhjet manipulohen, si veprimtaria e Kuvendit të Shqipërisë lë për të dëshiruar.
Cfarë thotë sheshi më shumë se sa kaq?
Mbi të gjitha sistemi i partive ka degraduar procesin e zgjedhjes të atyre që e quajnë veten përfaqësues të popullit, deputetët. Ligja elektorale ka shkelur çdo orë e çdo çast kushtetutën e Shqipërisë dhe përgjegjësit duhet t’i përgjigjen akuzës së mijëra qytetarëve. Në vend që çdo qytetar të ketë shanse të barabarta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, në vend që deputeti të jetë përfaqësues i popullit, në vend që qeveria të përgjigjet para Kuvendit, ky i fundit është bërë një lolo në duart e kryetarit të ekzekutivit dhe degradimi ka vajtur në atë pikë sa Presidenti i republikës, që i thotë vetes përfaqësuesi i unitetit të popullit, në këto ditë të nxehta, nuk guxon as të thotë një fjalë të vetme.
Teza e dytë: Parlamentarizmi është një mekanizëm i domosdoshëm përfaqësimi politik, por i mbështetur nga mekanizma të tjerë, përndryshe degradon.
Në një shoqëri plurale, gjithëmonë e më të nuancuar, edhe përfaqësimi elektoral nuk mund të mos jetë plural. Përndryshe rrezikohet liria e gjithkujt për t’u organizuar në ato agjenci sociale, komunitete, bashkësi politike, organizata, parti politike që përputhen më mirë me bindjet e gjithësecilit dhe interesat e gjithkujt.
Liria për të zgjedhur dhe e organizimit është e drejtë themelore, si edhe ajo e protestës, pa të cilën shoqëria degradon në barbari.
Dikush mund të pyesi:
Si?
Liria për këto organizata të degraduara te ne që quajnë veten parti politike, qenka kush për të siguruar lirinë e të gjithëve dhe të gjithë secilit?
Këtu nuk duhet ngatërruar situata e degraduar në Shqipërinë e këtyre dekadave ku pluralizimi politik u përvetësua nga disa liderë politikë për hesap të pushtetit të tyre personal me parimin e përfaqësimit të shprehjes së vullnetit popullor me të zgjedhur.
Në një shoqëri moderne demokracia e drejtpërdrejtë, nga sheshi, mund të jetë një ëndërr e bukur, frymëzuese, por, e pamundur ta zëvendësojë krejtësisht atë me sistem përfaqësimi.
Nuk ka nevojë të jesh një Weber, një Spenser, një Durkheim, një Ortega y Gasset, apo një Lok, apo Ruso për ta ditur këtë në ditët tona.
Qytetari i gjithë ditur nuk është realitet, është utopi, është gjithëmonë e më pak i mundur!
Por, kjo nuk do të thotë se demokracia e drejtpërdrejtë, ajo e referendumeve, ose e ngritur mbi parimin e madh të subsidiaritetit, pra të vendimarrjes lokale, ajo që në shumë rrafshe nuk i rregullon çështjet me ligj kombëtar, por edhe sipas traditës, apo sipas vendimarrjes komunitare, nuk ka vend që të aplikohet atje ku mundet.
Teza e tretë: A ka mundësi të kurohet sistemi parlamentar shqiptar? Unë mendoj se çështja djegëse e Shqipërisë sot nuk janë pelikanët, as gjelat e detit, as dallëndyshet, madje as lopët, dhitë, por njeriu.
Por, nuk u sigurua njeriu, asnjë shpend apo kafshë nuk mund të jetë në duart të sigurta!
Ky sistemi politik i degraduar i partive politike si gjoja instrumente përfaqësimi ka nevojë për ndërhyrje drastike për ta kuruar, për ta shëruar, për ta mjekuar, por jo për ta vdekur!
Kjo është përgjegjësia e deputetëve, jo vetëm e qeverisë, që në fakt është përfituesja kryesore nga dështimi i sistemit të përfaqësimit! Atë që nuk e bën dot deputetët, që nuk dinin ose nuk donin ta bënin, tani të hapin krahun se e bën qytetari!
E mira është që Kuvendi i Shqipërisë të shpallë afatet e vetëshpërndarjes së tij! Nëse deputetëve u ka mbetur një fije përgjegjësie morale dhe sociale!
Për sa më përket, kur më ka qëlluar të jem në komisione të Kuvendit të Shqipërisë për çështje të kulturës, shkencës, arësimit, rinisë, etj., kam vënë duart në kokë nga kotësia e deputetëve, nga mungesa e përgjegjësisë, nga rreshtimi partiak i tyre, nga mungesave e kompetencave profesionale, përse jo edhe nga idiotizmi apo budallallëku i ndonjë deputeti apo deputeteje torrollakë. Por, nuk rikthehem më me emra se historia i ka hedhur në kosh! Kjo më ka bërë disa vite më parë të deklaroj se refuzoj nga ai çast e tutje të marr pjesë në ndonjë mbledhje komisioni kuvendor për shkak se e përbuz mënyrën e funksionimit të tyre.
Për ta kthyer legjitimitetin e një Kuvendi të ri duhet ndryshuar nga themeli kodi i poshtër elektoral i sotëm që të dy partitë kanë mbajtur në këmbë deri tani. Ka vend që populli të shprehë lirshëm dhe me mekanizmat e duhura vullnetin e tij për kandidatët për deputetë që duhet t’u ikin kontrollit të kryetarëve të partive, antikushtetues, duhet që Kuvendi të kontrollojë qeverinë, jo qeveria deputetët si deri më sot, etj.
Duhet të rikthehemi në tre parime bazë:
Të parlamentarizmit të vërtetë.
Të shtetit ligjor.
Të respektit të sovranitetit të popullit.
A është e mundur?
Poooo!
Është e mundur nëse gjërat ndryshojnë jo prej gjasme, por katërcipërisht!
Ky, mendoj se duhet të jetë objektivi i dytë pas të parit i protestës qytetare!
Ndryshe, gjithçka do të kthehet në një film që e kemi parë edhe dy tri herë të tjera në dekadat e fundit!
Ju siguroj që nuk flas kot, unë e kam studjuar këtë problem veç të tjerash qysh te ky libër që shihni më poshtë!