Aktualitet
20 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 11 ende aktive, flakët përfshijnë disa qarqe
Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike në disa zona të vendit.
Ministria e Mbrojtjes njofton se janë evidentuar 20 vatra zjarri, nga të cilat 11 janë ende aktive, 7 janë nën monitorim dhe 2 janë shuar.
Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore janë angazhuar në terren me mjete tokësore dhe kapacitete ajrore për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Një nga zonat kryesore të ndërhyrjes mbetet Mali i Dajtit, ku zjarri vijon të jetë aktiv. Forcat e Armatosura kanë dërguar efektivë, mjete dhe helikopter për përballimin e situatës.
Në Kryezi të Kavajës, operacionit të zjarrfikësve i është bashkuar edhe një avion Air Tractor, ndërsa vatër aktive raportohet edhe në Lundre–Madhesh të Matit.
Në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet të Lezhës, operacionet po zhvillohen me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura.
Edhe qarku i Shkodrës vijon të përballet me vatra aktive. Zjarri në aksin Bardhaj–Myselim mbetet i ndezur, ndërsa në Kulumri të Fushë-Arrëzit vijon gjithashtu ndërhyrja.
Flakët janë aktive edhe në Kropisht të Selenicës dhe Vokopolë të Poliçanit.
Ndërkohë, vatra të tjera në qarqet e Korçës, Elbasanit, Durrësit, Fierit, Kukësit dhe Shkodrës janë vendosur nën monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e emergjencave.
Në terren mbeten të angazhuara Forcat e Armatosura, zjarrfikësit, strukturat vendore dhe vullnetarët. Prioriteti i operacioneve është mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë, ndërsa kapacitetet operacionale vijojnë të jenë në gatishmëri.