Shkrime
Preç Zogaj: Berisha i humb zgjedhjet në Tiranë dhe do vazhdojë t’i humbë duke refuzuar reflektimin, ndryshimin
U thashë: PD nuk i ka humbur zgjedhjet në Zejmen ku ka fituar. Madje as në fshatrat e Zadrimës apo Shëngjinit ku ka lëshuar bastione. PD i ka humbur zgjedhje në Tiranë, në selinë e saj qendrore.
Kanë bërë bujë dhe habi të madhe lajmet e kohëve të fundit për shkarkime e vetëpërjashtime (de fakto përjashtime) demokratësh nga Partia. Disa prej tyre janë të zgjedhur në forume dhe këshilla bashkiake, zëra kritikë që kanë shprehur përgjatë vitit qëndrimet e tyre kundër listave të mbyllura, klientelizmit, falsitetit të primareve dhe akteve të tjera vetëvrasëse për një parti opozitare që synon të vijë në pushtet.
Buja vjen nga jehona e këtyre purgave të freskëta në historinë e një partie që e ka paguar shtrenjtë, më shumë se njëherë, sjelljen si parti sektare unike, pra sikur nuk ka të tjera. Duke e injoruar faktin se jetojmë në liri, në një sistem shumëpartiak. Ku njerëzit, po të duan, ikin hapur nga partia, rrinë hapur pa parti ose shkojnë hapur me parti të tjera. Aq më tepër me partinë në pushtet që u ofron edhe poste po të ishtë fjala për një interes personal. Të përjashtuarit që kam dëgjuar në media i kam parë të befasuar, prekur, të lënduar, të revoltuar, duke hedhur poshtë akuzat se kanë mbështetur elektoralisht Partinë Socialiste, duke kërkuar t’u provohen ato.
Habia e madhe ka të bëjë me nevojën e ethshme që duhet të ketë për t’u zmadhuar një parti prej trembëdhjetë vitesh në opozitë. Por që mbetet e kapluar në ethen e kundërt të zvogëlimit. A i shkon ndërmend Sali Berishës se të përjashtuarit përmes të ashtuquajturit “vetëpërjashtim” shumohen me vetëpërjashtime të vërteta, të pabujshme? Ka plot demokratë që arsyetojnë me vete: për çfarë të humbas kohën në një parti ku diversiteti nuk ka status, kritikat kanë kosto, vota e lirë nuk vlen!
S’ka mundësi të mos i shkojë ndërmend.
Këtu edhe përgjigja e “enigmës” se si një parti që humb shtatë palë zgjedhje politike dhe vendore nga viti 2013 e këndej ka luksin të lundrojë në skema zvogëlimi. Nuk e ka problem fitoren. Po t’i bjerë në prehër si ndonjë mrekulli mirë. Por nuk i ra Berisha është komod si kryeopozitar. Ai ka vendosur ta shkelë brutalisht nenin e brohoritur të dorëheqjes pa kushte kur Partia humb zgjedhjet duke e amenduar për vete, pa votim, me shtesën “nëse zgjedhjet janë të lira”.
Kjo do të kishte sens në një garë ku partitë rivale dalin kokë me kokë. Apo kur rezultatet reale përgënjeshtrojnë kompanitë e sondazheve. Apo nëse vendet e BE-së, vetë BE dhe SHBA të mos e njihnin rezultatin e zgjedhjeve. Apo kur një masë e stërmadhe njerëzish, me vetëndjerjen e të qënit shumicë e trajtuar si pakicë, do të vërshonin shesheve e rrugëve, siç ka ndodhur në Venezuelë për shembull. Apo edhe në Bjellorusi.
Asgjë e tillë nuk ka ndodhur këtu. Kompanitë ndërkombëtare të sondazheve kanë fotografuar në vijimësi para dhe gjatë fushatës, sikurse pas mbylljes se kutive, një diferencë të madhe, deri në dy shifra mes PS-së dhe koalicionit PD-PL. Numërimi real i ka konfirmuar shifrat përgjithësisht brenda marzhit të gabimit në krahun e plusit.
Kjo nuk do të thotë se PS nuk është komportuar në fushatë si shtet parti. Por nuk mjafton të pretendosh se ka përmbysur rezultatin pa patur në anën tende qoftë edhe një nga katër “nëse”-të e lartpërmendura.
Me një fushatë konkurruese të fortë, me një prani të paparë njerëzish e almisesh amerikano-trampiane, koalicioni PD-PL kanë marrë votat që u janë numëruar e rinumëruar. Mbi dyqind e pesëdhjetë mijë më pak se katër vite më parë. Kjo është arsyeja që gjetjet me plot shkelje të OSBE-së janë adresuar te paketa e rekomandimeve dhe aq.
Por Berishës nuk i mjafton të kandidojë në shkelje të statutit të vet. I duhet të mos ketë rivalë nga radhët e kritikëve të tij në parti. I duhet një listë votuesish “e pastër”. I duhet t’u përcjellë ndjekësve besnikë mesazhin se është tradhëtuar edhe nga brenda. Kështu orientohet analiza me “nxjerrje” sysh mes demokratëve të thjeshtë, ku qendra që ka hedhur topin vetëpërjashtohet nga përgjegjësia.
Në fakt PD ( dhe çdo parti) i humb zgjedhjet në Tiranë, në seli, në zyrën e kryetarit.
Do të vazhdojë t’i humbë duke refuzuar reflektimin, domethënë ndryshimin.
*Drejtor i MAPO