Politike
RAMA FUT ESKAVATORIN, FSHIN EMRAT E SHOKEVE TE VELIAJT QE KANE MARRE PJESE NE PROTESTA
Operacioni që Edi Rama nisi në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste pritet të shtrihet menjëherë në degën e Tiranës.
Kryeministri ka vendosur prej disa ditësh shkrirjen e plotë të strukturës socialiste të kryeqytetit dhe rindërtimin e saj nga e para.
Në mbledhjen tjeter te Kryesisë pritet të caktohen edhe disa drejtuesi te tjere te rinj të njësive, kryesisht nga radhët e deputetëve aktualë.
Në listën e re nuk pritet të jenë Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca. Spiropali është mënjanuar prej kohësh nga drejtimi politik në Tiranë. Largimi i saj nuk ka krijuar ndonjë boshllëk të madh, pasi ajo mbulonte Kamzën dhe Vorën, zona që tashmë i janë besuar Taulant Ballës.
Përplasja e Ramës me Ndrecën ka karakter politik. Sipas burimeve, kryeministri i ka kërkuar llogari ish-deputetit se përse vazhdon ta mbrojë Erion Veliajn, edhe pse, sipas Ramës, ai i njeh faktet që e lidhin kryebashkiakun me financimin dhe mbështetjen e protestave kundër qeverisë dhe Partisë Socialiste.
Në vend të Ndrecës pritet të caktohet ministri i Financave, Petrit Malaj, si i deleguar në zonën më të rëndësishme elektorale të Tiranës. Pikërisht kjo strukturë pritet t’i nënshtrohet spastrimit më të gjerë.
Riorganizimi lidhet edhe me shkarkimet që Erion Veliaj u ka bërë drejtuesve të njësive administrative, të cilët mbanin njëkohësisht funksione drejtuese në strukturat e PS-së. Pas largimit të tyre nga bashkia, Rama u ka kërkuar të mos tërhiqen nga funksionet partiake. Javën e ardhshme pritet t’i rikonfirmojë zyrtarisht.
Pas mbledhjes së Asamblesë Socialiste të Tiranës, Rama do të takohet edhe me punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësues të administratës. Kryeministri pritet t’u bëjë të qartë se personat që kanë marrë pjesë në protestat kundër qeverisë nuk mund të vazhdojnë të mbajnë funksione në strukturat e Partisë Socialiste.