Politike
Rama mohon ‘kërcënimet’ ndaj Veliajt/ Ndreca: Duhej të kishe nisur hetimet…
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku ky i fundit akuzoi Veliajn dhe avokatin e tij se po gënjejnë lidhur me pretendimet për kërcënime dhe presion për dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.
Pas paraqitjes në GJKKO, ku u zhvillua seanca gjyqësore për çështjen e Veliajt, Ndreca deklaroi se kryeministri duhet të kërkojë hetimin e pretendimeve të klientit të tij dhe të mos mbajë qëndrim pa u verifikuar më parë faktet.
Ai theksoi se institucionet duhet të zbardhin rrethanat e takimit ku pretendohet se Veliaj është kërcënuar, duke verifikuar se si është organizuar takimi, kush ka qenë i pranishëm dhe çfarë është diskutuar. Ndreca tha gjithashtu se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor nuk ka marrë ende përgjigje, ndërsa shtoi se Veliaj është i gatshëm të japë deklarimet e tij nën betim.
Avokati sqaroi se nuk ka komunikuar me Veliajn për deklaratat e Ramës, pasi nuk janë takuar që prej së premtes. Ai theksoi se nuk ka pretenduar se ka qenë vetë i pranishëm në takimin e përfolur, por ka përcjellë atë që i ka deklaruar klienti i tij.
Në përfundim, Ndreca deklaroi se, nëse kryeministri kërkon zbardhjen e së vërtetës, duhet të nisin hetimet për ministrin Toni Gogu, të cilin Veliaj pretendon se e ka kërcënuar në emër të Ramës. Sipas avokatit, provat duhet të mblidhen nga prokuroria dhe institucionet përgjegjëse, pasi Veliaj ndodhet në paraburgim dhe nuk mund të ngarkohet me detyrën e mbledhjes së tyre.