Politike
Rama për ‘Il Giornale’: Kur hartuam reformën në drejtësi, vendosëm të mos bënim gabimin e Italisë
Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste të dhënë për median italiane Il Giornale, foli për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, investimet e huaja, dixhitalizimin e administratës publike dhe marrëdhëniet e veçanta me Italinë.
Ai tha se pas vendimit mbi legjitimitetin e marrëveshjes, kërkesa për bashkëpunim erdhën edhe nga vende të tjera evropiane, por ka theksuar se ky është një koncesion ekskluziv për Italinë dhe nuk mund të replikohet.
Rama ka shtuar se takimi me Kryeministren Giorgia Meloni në Romë konfirmoi vizionin e saj strategjik për marrëdhënien mes dy vendeve.
Kryeministri ka theksuar se investimet e huaja direkte kanë kaluar nga 400 milionë euro në mbi 1.5 miliardë euro.
Ai gjithashtu ka nënvizuar se Shqipëria ka përmirësuar dhe thjeshtuar sistemin e drejtësisë duke vlerësuar gjyqtarët dhe magjistratët e korruptuar, si dhe ka ndarë karrierat e gjyqtarëve dhe magjistratëve për të shmangur gabimet e Italisë.
‘Ne e kemi përmirësuar dhe thjeshtuar sistemin e drejtësisë duke vlerësuar gjyqtarët dhe magjistratët e korruptuar. Ndarja e karrierave që ju e paraqitët në referendum është diçka që e kemi pasur prej kohësh, siç kanë bërë pothuajse të gjitha vendet evropiane. Ne kemi këshilla të ndara gjyqtarësh dhe magjistratësh. Atëherë, kur po hartonim reformën, thamë: nuk duhet të bëjmë gabimin e Italisë’ – Deklaroi Rama.
Ndërkohë i pyetur për takimin me Giorgia Melonin në Romë të enjten, ai theksoi:
“Edhe një herë kam parë konfirmim se Kryeministrja juaj ka një vizion të qartë strategjik për marrëdhënien midis vendeve tona, të cilës i kushton vëmendje të veçantë pavarësisht angazhimeve të saj të shumta vendase dhe ndërkombëtare. Të gjitha qeveritë italiane kanë qenë shumë respektuese dhe të hapura ndaj nesh. Megjithatë, që kur kjo qeveri mori detyrën, ne kemi kaluar nga ide të mira në letër në projekte konkrete në sektorë të rëndësishëm si infrastruktura, energjia, mbrojtja dhe kujdesi shëndetësor. Ne kemi një marrëveshje me Fincantieri-n; si një sipërmarrje e përbashkët, ne do të ndërtojmë anije të vogla dhe të mesme që do të eksportohen, duke zgjeruar kështu kapacitetin prodhues të Fincantieri-t.”