Connect with us

OPINION

Rama si palë e tretë në krizën e Kosovës

Nga Enton Abilekaj

Prej 2 javësh situata në Veriun e Kosovës vazhdon të jetë kaotike. Mediat raportojnë nga vendngjarja, se protestat vazhdojnë, megjithëse paqësore, ndërsa trupat policore, ato të KFOR vazhdojnë të mbrojnë ndërtesat e Komunave, që në fakt nuk japin asnjë shërbim për qytetarët. Negociatat e dyshes Lajçak- Escobar dështuan pasi palët nuk e pranojnë renditjen e pikave në planin e de-eskalimit. Kush duhet të tërhiqet më parë? Forcat policore që po mbrojnë komunat, kryetarët që duan të repektojnë ligjin duke hyrë në zyra, apo protestuesit që po pengojnë zbatimin e ligjit?

Në këtë pikë të vështirë, kur SHBA dhe BE po drejtojnë gishtin nga Albin Kurti, që nuk pranon tërheqjen, pra asnjë plan zgjidhjeje, përpara se të largohen penguesit e ligjit, duket se Kosova është në ditën më të vështirë. Jo vetëm ndërkombëtarët, por edhe opozita në Kosovë, njëzëri po dënon “kokëfortësinë” e Kryeministrit që, sipas tyre, po rrezikon marrëdhëniet me partnerët stategjikë, me ata që e çliruan Kosovën.

Ndërkohë që mbi Serbinë nuk ka asnjë presion. Tërheqja e kriminelëve, policëve serbë të infiltruar në Kosovë për të protestuar dhunshëm dhe transformimi i protestave në paqësore, ishte për Perëndimin një hap shumë i madh mbrapa nga Vuçiç.

“Dje i kam përcjellë Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholtz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman të asosacionit”, ishte ndërhyrja e Kryeministrit të Shqipërisë në kulmin e kësaj krize. Jo papritur Edi Rama u shfaq me një projekt për asosacionin. Të njëjtën gjë bëri në Sllovaki dhe Moldavi, kur takohej me Vuçiçin për të zgjidhur krizën, temë që e shmangu vetëm një ditë më parë kur takoi Kurtin dhe Osmanin. Aty u duk sikur Rama e injoroi palën e Kosovës, që të konsiderohej vetë si palë, por sot u kuptua më mirë.

Kryeministri i Shqipërisë është futur në debatin për Kosovën si palë e tretë, i barazlarguar nga palët.

“Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”, thuhet në pikën 1 të nenit 8 të Kushtetutës për rolin që Kryeministri nuk po e ushtron. Por Kushtetuta nuk ka qenë pengesë ndonjëherë për Ramën. Ajo që e pengon është se, si palë e tretë, duket qenë bashkëkombas i qytetarëve të Kosovës, do të paragjykohet. E vetmja mundësi që të bëhet i besueshëm, është që të mbajë më shumë krahun e palët tjetër. Dhe, për ta fituar këtë rol që garanton më shumë pushtet personal, Rama sot, për të disatën herë tregoi se është i gatshëm të mbajë krahun e Serbisë që të bëhet më i besueshëm.

Palët nuk po bien dakord as se kush do e shkruajë tekstin për asosacionin”, tha Kryeministri për të konfirmuar kështu që është futur në këtë debat si palë e tretë. Mbrapa tij janë ekspertë të njohur amerikanë dhe ndërkombëtarë, por ai ka dhënë edhe kontributin e vetë. Një kontribut i pakërkuar, njësoj si propozimet që shkretojnë buxhetin e Shtetit.

Ajo që i është kërkuar, jo vetëm nga Kushtetuta, ka qenë ushtrimi i mundësisë së komunikimit me liderët Perndimorë, për t’i bindur që plani i përkëdheljes së Serbisë nuk do të funksionojë, ashtu si nuk ka funksionuar më parë. Kur thotë që “Serbia po bën atë që ka bërë gjithmonë, Kosova nuk po bën atë që ka bërë për herë të parë”, Edi Rama e ka të qartë se Qeveria Kurti nuk ka ndërmend të vazhdojë në rrugën e dështuar të pazareve me Serbinë e pangopur me lëshime. Duke qenë se ky është një pozicion i ri, që i ka kapur të papërgatitur edhe liderët perëndimore, një dorë nga Qeveria e Shqipërisë do të bënte ndoshta që presioni ndërkombëtar sot të mos ishte mbi Kosovën.

Nëse do të bënte këtë, vërtetë mund të gjente vetulla të ngrysura, mosbesim dhe kundërshtim, por do të bënte atë që ka nevojë sot Kosova, sipas Kryeministrit dhe Presidentes në detyrë. Nëse do të shfrytëzonte takimet e Bratislavës dhe Chissinaut për të mbështetur zbatimin e ligjit kundër huliganëve, ndoshta do ta shikonin me sy të keq, por do t’i bënte liderët perëndimore të reflektonin më shumë, do ta shikonin me lupë, por do tërhiqej dhe vëmendja, do ta vinin në pikëpyetje si Kryeministër, por do forconte qëndrimin shqiptar dhe do tregonte se faktori shiptar në Rajon është i unifikuar në këtë pikë.

Në vend të kësaj zgjodhi buzëqeshjet e ndërkombëtarëve, nxitjen e tyre për t’i lënë vetëm përfaqësuesit e Kosovës dhe për tu ulur me Vuçiçin, si një partner me të cilin merresh vesh, zgjodhi zgjatjen dhe forcimin e pushtetit personal. Prandaj sot, me paraqitjen e draftit për asosacionin, konfirmohet një Kryeministër që sillet me Kosovën si palë e tretë, i barazlarguar nga palët, që, duke mëshuar te asosacioni përpara zbatimit të 6 pikave të para të planit franko-gjerman, tregon se edhe këtë herë ka vendosur t’i japë të drejtë Serbis

OPINION

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi

Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të ditur çfarë duan e çfarë nuk duan njerëzit në mardhënie me politikën.

Sondazhi është një fotografi e realitetit e cila ia vlen të merret në konsideratë, gjithnjë nëse ne dëshirojmë të mësojmë diçka mbi shoqërinë ku jetojmë. Duke qenë kështu, sondazhi nuk mund të shpërfillet.

Në vijim do të trajtojmë çfarë na tregoi sondazhi i Barometrit në lidhje me Opozitën, cilat ishin informacionet që neve morëm nga ky “operacion spiunazhi”.

Informacioni nr. 1:

Liderët e Refuzuar.

Në pyetjen se cili është kandidati që opozitarët shqiptarë preferojnë për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2025, del se vetëm 15.2% preferojnë Sali Berishën, vetëm 5% preferojnë Lulzim Bashën, ndërsa plot 73% preferojnë të kenë një kandidat tjetër për kryeministër.

Pra Berisha e Basha, të dy së bashku, nuk shihen si kandidatë për nesër, për të ardhmen, për vazhdimsinë. Përkundrazi ata shihen si e shkuara, si një kohë e kaluar e cila ka mbetur për inerci. Ata sot mposhten thellë nga nevoja dhe nga dëshira e opozitarëve për të pasur një kandidat të ri në vitin 2025.

Informacioni nr. 2:

Opozitarët në shoqërinë shqiptare nuk duan të kandidojnë me muzeum politik, me skelete dhe me relike të cilave iu ka kaluar vakti, ata duan lidership të ri për të larguar Edi Ramën. Pra nuk kanë rënë në disfatizëm dhe nuk kanë rënë viktima të historisë, sic shumëkush mund të mendojë se kanë rënë.

Informacioni nr. 3:

Berisha e Basha mund të dëshirojnë të luajnë ende bixhoz politik, me mendimin se ndoshta kësaj herë iu del diçka por, opozitarët nuk e preferojnë bixhozin me politikën dhe me opozitën, nuk e preferojnë bixhozin me fatin e tyre dhe me fatin e Shqipërisë.

Opozitarët shqiptarë nuk kanë dëshirë dhe as nerva, nuk kanë takat e as kohë për të humbur duke luajtur bixhoz politik; duke kandiduar përsëri me të njejtët liderë, liderë të çertifikuar tashmë si humbës kronikë, të herë-pas-hershëm.

Informacioni nr. 4:

Nga sondazhi kuptojmë se opozitarët nuk e shohin si pronë të Sali Berishës e të Lulzim Bashës, as opozitën, as të djathtën shqiptare, as vetë Partinë Demokratike. Shumëkush mund të mendojë se opozitatët, partinë, opozitarizmin, ua njohin si pronës Berishës e Bashës. Në sondazh del që jo. Shumica nuk ua njohin. Nuk mësyjnë tua marrin partitë me leva por thjesht nuk ua njohin si prona.

Informacioni nr. 5:

Jorida Tabaku më e pëlqyera prej njerëzve në radhët e politikanëve të rinj të cilët nuk kanë qenë ministra e nuk kanë konsumuar pushtet të nivelit të parë. Jorida Tabaku si model i politikanes së mbështetur tek kompetenca, tek shifrat, tek llogaritë familjare të familjeve shqiptare, tek shqetësimet mbi punën, profesionet, sipërmarrjen, të ardhurat, kursimet, rezulton “e shpërblyer nga njerëzit” për ketë model. Kjo është një e dhënë cilësore e cila vlen të konsiderohet kur të flitet mbi modelin e të djathtës së ardhshme, asaj të djathte “post Berisha e post Basha” e do të përfaqësojë të djathtën kur Shqipëria të jetë bërë shtet i BE-së.

Informacioni nr. 6: Tomor Alizoti më i panjohuri nga njerëzit

Kjo e dhënë mbi Tomor Alizotin na tregon shumë, madje është leksion më vete. Na tregon se në politikë nuk mjafton të shfaqesh si nipi i atij e stërnipi i atij tjetrit. Na tregon se për të qenë politikan i njohur e i pëlqyer, nuk mjaftojnë kriteret tribale dhe origjinat, as persekucioni komunist.

Është performanca vetjake ajo që të ngre. Kjo është shoqëri e performancës në kuptimin e mirë, nëse nuk performon në vetë të parë, nëse nuk spikat me punë konkrete, nëse ske bindje e formim solid apo kompetencë politike por, vepron me kap ça të kapësh me vesh, ushqehesh me historinë si mjet legjitimimi para njerëzve por vetëm kaq, mbetesh politikan i panjohur e i pakonsideruar. Kungulli nuk ecën mbi ujë për kohë të gjatë, një ditë fundoset.

Për ta përmbyllur, duhet trajtuar shkurt arsyeja pse njerëzit preferojnë 15.2% Sali Berishën dhe vetëm 5% Lulzim Bashën.

Në kohëra të vështira si këto që po kalon opozita, njerëzit kanë vepruar me kriteret e rrezikut për të mos u asgjësuar. Kanë kërkuar mbrojtje e siguri për mbijetesë.

Sali Berisha prej vitit 1990 është i asociuar me demokratët si politikani i cili ka qenë aty në të mirë e në të keqe. Si politikan luftarak i cili ka rrezikuar e ka luftuar. Sali Berisha duke formuar 3 qeveri të së djathtës në Shqipëri është i vetmi i cili u ka dhënë të djathtëve shijen e fitores.

Me Berishën ndodhi historia e dy lopëve. Kishin qenë dy lopë identike, lopa nënë e lopa bijë. Askush nuk mundej ta dallonte se cila është nëna e cila bija. Një burrë, tha e gjej unë se cila është nëna e cila bija. Kapi një hu në dorë dhe nisi t’i rrihte fort të dyja lopët. Njëra lopë, gjatë rrahjes, shkonte fuste kokën nën barkun e lopës tjetër. Burri tha, kjo është bija sepse kjo shkon fut kokëm tek e ama instiktivisht, për tu mbrojtur.

Edhe demokratët pas traumës së 25 prillit 2021, pas dajakut të madh, pas frikës dhe pasigurisë në atë gjendje të pashpresë, shkuan futën kokën për tu mbrojtur tek Sali Berisha, si lopa bijë tek lopa nënë.

Ndërsa Lulzim Basha është parë gjithmonë si njeri joluftarak të cilit karrierën ia dhuruar Berisha; ministër e kryebashkiak, pastaj kryepartiak, plus betejat në parti, ia ka fituar Berisha. Basha është parë si “çuni i babit”, ai nuk ka pasur asnjëherë autoritet politik të vetin e vetjak.

Kur u rikthye në partinë zyrëtare në vitin 2023, ai pati mundësinë për të dëshmuar lidership por, bëri të kundërtën, tregoi mungesë intelekti, mungesë formimi politik, mungesë vizioni për të ndërtuar parti aksionere. Ai ndërtoi një parti kompani private. Tregoi se edhe gjatë 8 vjetëve të shkuara, nuk ka qenë Berisha ai që e ka penguar por, Basha si me Berishën si pa Berishën është i njejti dhe vepron identik, njejtë.

Sjellja pas rizgjedhjes qe shenja e fundit se ai ska ndërmend të punojë për opozitarët por vetëm për nënpunësit e tarafit të vet. Prandaj edhe opozitarët nuk kanë ndërmend të “punojnë” për të, nuk e konsiderojnë, nuk e përfillin, nuk e duan. Sepse shohin tek ai Andon Ledhin i cili fitonte konkursin e violinës se ishte djali i babit, nuk shohin tek ai burrin e përgjegjshëm e të pjekur, burrin që ofron siguri e stabilitet.

Le të shpresojmë se edhe sektet brenda të djathtës të dalin nga bodrumi i sektit dhe të pranojnë realitetin. Të mos vazhdojnë me justifikimet qyqare se sondazhet nuk janë të vërteta por ato bëhen për të goditur liderët e tyre. Pasi është qesharake: kur sondazhet e nxjerrin keq Ramën apo iu nxjerrin mirë liderin, sondazhet janë të mira. Kur sondazhet i nxjerrin keq liderin, të njejtat sondazhe bëhen nga armiku.

Continue Reading

OPINION

Problemi janë Veliajt e jo ambasadorët

Nga Genc Pollo

“Një mobilizim i madh në Tiranë e përtej do të duhet për këtë skandal të madh (5D i Veliajt). Pa persona të dhunshëm (si në 21 janarin e Ramës) por me vullnet e vendosmëri!” Me këto fjali e mbyllja shënimin im para një jave. Dje isha isha në mitingun e protestës para bashkisë, dëgjova nga distanca plasjet e shashkave e molotovëve e mbas pak tubimi përfundoi e turma u shpërnda. Sot po shoh se mediat e reagimet po fokusohen tek deklaratat e disa ambasadave të cilat apeluan kundër dhunës.

Protesta para bashkisë Tiranë është një kauzë jo thjesht e drejtë por edhe moralisht e pashmangshme. Nuk është një protestë antikorrupsion si të tjerat në kontekstin e banalizimit të megakorrupsionit nën pushtetin rilindist. Jo vetëm që kemi kryebashkiakun Veliaj nën hetim me urdhër gjykate për vepra penale të cilat janë direkt nën përgjegjësinë e tij; jo vetëm kemi të provuar gjyqësisht një shkallëzim fundor të korrupsionit ku ofiqari nuk kënaqet me rryshfet por merr 100% të fondit për vete duke kontraktuar kompaninë e tij.

Por 1: Kompanitë private të bashkisë kanë treguar një çnjerëzi ngjethëse: kanë zbuar dhjetëra familje nga banesat me sebepin se janë të dëmtuara nga tërmeti e duhet të shemben edhe kur teknikisht nuk ishte rasti. Kur familjarët kundërshtonin bashkia u priste ujin e dritat dhe i mësynte në banesë në orën tre të mëngjesit e i nxirrte përdhunshëm jashtë; madje edhe kur ishin me foshnje në krah. Shkaku ishte se tenderin e rindërtimit e kishte marrë kompania 5D.  Policia bashkiake ka ushtruar rregullisht dhunë të tepruar fizike kundër fshatarëve që shesin fruta-perime. Motivi nuk qenka trotuarët e pastër por “eliminimi i konkurrencës” mbasi shefat e policisë bashkiake kanë regjistruar një kompani fruta-perimesh dhe duan monopolin e tregut.

Por 2: Kryebashkiaku Veliaj nuk ka dhënë sqarime për këto por ka mbajtur monologje boshe para dy-tre “gazetarëve” që e dëgjojnë duke tundur kokën me aprovim. Veliaj bllokon në shkelje të ligjit një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak të kërkuar zyrtarisht nga këshilltarët e opozitës. Kur rilindistët në Kuvendin e Republikës i mohuan opozitës të drejtat ligjore kjo e fundit protestoi duke ndezur flakadanë e duke përmbysur karriget. Nuk ishte pamje estetike po kauza ishte e drejtë. Dhe vendosmëria e vullneti i opozitës parlamentare fituan dhe korrigjuan në tërësi padrejtësinë. Ky vullnet e kjo vendosmëri duhen edhe sot e në vijim derisa të korrigjohen padrejtësitë e Veliajt.

Vetëm se në Kuvend nuk u rrezikua jeta e shëndeti i askujt; po kështu duhet të veprohet edhe në sheshin para Bashkisë. Në video duken se dje  molotovët shpërthyen në flakë të mëdha që mund të kishin djegur policët e rreshtuar. Kjo është në parim e papranueshme. Aq më tepër kur oratorët theksojnë se “policia është me ne” dhe se e “vuan përbrenda hajdutërinë e bandës Veliaj”.

Ambasadat reaguan se duan stabilitetin e jo dhunën që sipas tyre mund të çojë në destabilizim. Mbase duan edhe demokracinë e shtetin ligjor në Shqipëri. Për këtë kanë investuar qindra milionë euro e dollarë me rezultat të diskutueshëm. Sidoqoftë zbulimi i korrupsionit të bandës 5D nuk do të  ishte i lehtë pa kapacitetet e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por ambasadat përfaqësojnë edhe interesa që nuk është e thënë që të jenë gjithmonë e plotësisht interesat e Shqipërisë. Mes tyre mund të ketë edhe McGonigalë ose cinikë.

Ndër deklaratat e djeshme spikaste njëra që i quante “vitale për demokracinë tubimet e protestat paqësore që kërkojnë veprim kundër korrupsionit” (ishte e ambasadës nga ku nuk priteshin këto fjalë).

Gjithësesi reagimi ndaj ambasadave ishte me tepri. Uroj të vijë ajo ditë kur të kuptojmë e pranojmë se të huajt mund të jenë dashamirës por nuk mund t’a duan Shqipërinë më shumë se shqiptarët.Dhe të shohim përgjegjësitë tona pa u marrë me të tjerët. Euforia ksenofile e vitit 90 që vazhdon ende në fakt ka prodhuar një infantilizim psikologjik të shoqërisë dhe ka zbehur sensin e përgjegjësisë për vendimmarrjet e vështira por pozitive.

Prandaj në shënjestër të protestës e veprimit politik lipset të jenë keqbërës si Veliaj and co dhe më pak ose aspak burokratët vizitorë.

Continue Reading

OPINION

Rregullimi shtetëror në rrezik sërish

Nga Shqiprim Pula

KONDOMINIUM apo CONDOMINIUMS
Sot, Komiteti LIBE i Parlamentit Europian, me shumicë votash ka përkrahur/votuar propozimin e eurodeputetit Slloven, Matjaž Nemec, për njohje shtetësie sipas parimit kondominium!.
Pse është problematik për ne Kondominiumi?
▪︎ Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë përkatësisht Drejtoria Koordinuese për Kosovën, lëshon dokumente/pasaporta për pakicën Serbe me vendbanime në Kosovë, të cilët konsiderohen sikur të jenë në Serbi.
▪︎ Parimi kondominium paraqet shtrirje të sovranitetit të dyfisht (në rastin tonë) të shtetit Serb mbi Kosovën, përkatësisht vendbanimet e caktuara mbrenda Kosovës.
▪︎ Ky parim, nuk paraqet shtrirje sovraniteti vetëm kundrejtë qytetarëve si persona fizik por edhe personave juridik e rrjedhimisht edhe ndaj pasurive të tyre.
Disa raste ndërkombëtare sipas kondominiumit
▪︎ Distrikti Bruksel si sovranitet i përbashkët ndërmjet Flanders dhe Wallonia, në Belgjikë
▪︎ Territori i Jeruzalemit si ndarje sovraniteti nga shteti Izraelit dhe Autoriteti Palestinez
▪︎ Ishulli i Gjibraltarit me pretendimin e sovranitetit të ndarë nga Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar
▪︎ Distrikti Brčko si sovranitet i përbashkët ndërmjet Bosnia e Herzegovina, Federata Bosnia e Herzegovina dhe Republika Srpska
▪︎ Hong Kongu si përpjekje (1983) që Kina t’a ruante sovranitetin por në anën tjetër Mbretëria e Bashkuar t’a ruante të drejtën e administrimit të territorit sipas parimit kondominiumit.
Elemente të dyshimta, europiane e ndërkombëtare, po e vënë në rrezik sërish të ardhmën tonë!
Duhet reagim.
Kërkohet kundërshtim.
Continue Reading

OPINION

Po! Kështu vidhet Shqipëria çdo ditë që sjell Zoti i Madh!

Trimëria shqiptare nuk është e artë, ajo është e shenjtë. Me fjalë të tjera, trimëria shqiptare sado e madhe në vetvete është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kalë të grabitur, me një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur, shqiptarët marrin armët, hedhin, vrasin.
Kështu tha Faik Konica!
Shqiptari të vret! Mjafton të dëgjosh lajmet dhe të kuptosh se shqiptari nuk mendohet dy herë për të qëlluar me armë, as për të dhunuar, as për të reaguar, as për të lënduar….
Mjafton të prekësh gardhin ose ta shikosh në sy për më shumë se një sekondë, shqiptari nuk do të të falë!
Një fjalë e thënë, e pamenduar, nga një individ do të thotë një fis i tërë në gjak.
Kjo kulturë është trashëguar mirë tek të rinjtë që po vrasin njëri-tjetrin në mënyrë makabre.
Kjo turmë e guximshme dhe e guximshme udhëhiqet nga sharlatanët që po përjetojnë parajsën.
Prapësia, urrejtja dhe trimëria e turmës shfaqen kundër më të dobëtit.
Më i dobëti do të thotë elita e vogël e mbetur në Shqipëri.
Ata që punojnë me ndershmëri dhe pa turp vazhdojnë me këmbëngulje të mos duan të jenë baltë.
Ndërkohë në këtë luftë të vogël për asgjë çdo ditë vriten njerëz nga injoranca dhe varfëria i përhap rrënjët e saj gjithnjë e më thellë.
Saga e vjedhjeve tashmë është bërë një temë që as nuk ia vlen të diskutohet sepse ne e dimë, ata e dinë, ju e dini, por askush nuk bën asgjë.
Trimëria e shqiptarit nuk tregohet kurrë sepse i është vjedhur e drejta për të pasur një jetë normale dhe po i shkatërrohet e drejta për të jetuar një jetë të denjë për fëmijët e tyre.
Vjedhja në nivele të larta nuk i shqetëson! As nuk u intereson!
Në kokat e tyre pasuria nuk vjen nga një politikë e drejtë, ndaj mbase nuk e shohim inatin që shfaqin kur vjedh një pulë nga oborri!
Po! Kështu vidhet Shqipëria çdo ditë që sjell Zoti i Madh!
Continue Reading

OPINION

Nuk do të vuloset kurrë antiamerikanizmi në Shqipëri!

Nga Azgan Haklaj

Në kontekstin rajonal, kontinental e global secili komb nxjerr mesimet dhe merr masat e veta për tu përballur me furtunën, e cila për shumë arsye të lexueshme po tenton të përfshijë Gadishullin Ballkanik, i njohur si fuçi eksploduese historikisht.
Natyrisht që era ruso-sllave herë hapur e herë në mënyrë hibride synon për të minimizuar kujdesin perëndimor për Ukrainën.
E kur dihet botërisht se lufta e vërtetë e Rusisë dhe aleatëve të saj është kundër dhe konkretisht kundër SHBA-së qëllimi dhe intervenimi rus gjithfarësh drejtohet në rajonin tonë kundër Kombit Shqiptar, i cili dhe mbetet kombi më proamerikan në glob.
Dhe kjo jo pa arsye të paktën që nga koha e Presidentit Willson e deri sot.
Edhe partitë politike kanë rëndësinë dhe peshën e tyre në këto proçese qofshin këto në shumicë apo pakicë, të mëdha apo të vogla, ndaj dhe diversioni ruso -serb dhe investimi konspirativ i tyre është i deshmuar se shtrihet edhe këtu.
Fatkeqësisht kjo po përvijohet edhe vendin tonë dhe Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Natyrisht ky investim nuk vjen me daulle por nuk është e veshtire ta interceptosh pa pasur lakmues nëntokësor.
Në Tiranë ka kohë që diku hapur e diku me doreza të zeza po shfaqet antiamerikanizmi politik.
Nuk mund të fshihet fakti se në ballë qëndron Sali Berisha me foltoren e tij jolegjitime dhe Ilir Meta i njohur dhe dokumentur si nje idhtar i sistemit totalitar.
Me kamuflazh të ndryshëm por me shënjestër të njëjtë të dy ju qasen të njëjtit stil.
Berisha rrembeu dhunshëm Selinë e Partisë Demokratike ndërsa sot bën presion, thur kurthe dhe intriga, bën pazare, intimidon, shantazhon, linçon, kërcënon me qëllim që të rrembejë e privatizojë vulën dhe siglën PD-së, ashtu siç rrembeu levizjen studentore të viteve 90-të dhe mbajti peng për disa dekada partinë që lindi në këtë lëvizje historike.
Ndërsa Meta e kishte më të lehtë ti rrembente bashkëshortes vulën e si Berisha të “nuseronte” me sigël e emer të ri.
Askush deri sot çuditërisht as institucionet e inteligjencës nuk e vrasin mendjen se ku gjenden nga ky bllok anti-amerikan subvensionimi marramendës i tyre jashtë ligjeve finaciare rregullojnë funksionimin e partive.
Po ashtu askush nuk merret me faktin se si një grupim politik që vepron në Shqipëri e gjen guximin që haptas e mediatikisht ti kundërvihet SHBA-ve kur dihet se një veprim i tillë elektoralisht është vetvrasje.
E këtij kori me dorë të fshehur ortakerie ju ka bashkuar edhe Edi Rama.
Berisha e Meta jo e jo por as Edi Rama nuk e kamuflon arsyen e këtij iritimi me aleatin tonë strategjik e imediat.
Arsyeja është pikërisht investimi i njëmendtë i SHBA-ve, Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Levizja tymnajë e Ramës me Gaz Bardhin & Co nuk u desh shumë kohë të zhvishej lakuriq.
Është në fakt jo një reflektim i mazhorancës për të normalizuar jetën parlamentare por një ortakëri në përballjen ku të hapur e ku pas kuintave me SHBA-në e cila po tregon rigorozitett në luftën kundër krimit dhe korrupsionit politik në rajon.
Ndaj dhe Berishës i duhet vula siç i nevojiten një të verbëri sytë thjesht për të vulosur e zyrtarizuar anti amerikanizmin.
Në këtë betejë natyrshëm që jo të gjithë ushtarët e dinë pse po shkohet.
Disa janë nostalgjikë.
Të tjerë ëndrrën e gomarit që mbyllte sytë e ëndërronte ndërkohë ujku i shqyente prapanicën.
Disa të tjerë karrieristë mendojnë se ju erdhi koha të “nxjerrin luanin” politik që qëndron në subkoshiencën e tyre të krimbur.
Të vetmit që e dinë mirë përse kërkojnë legjitimitet janë Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Ndaj sot më shumë se kurrë është koha për reflektim së pari kombëtar e pastaj politik.
Kjo është një analizë e thjeshtë që hap pas hapi ju siguroj se do ilistrohet me fakte por apeli im si demokrat e mbi gjithçka shqiptarisht përmes kësaj premomorje modeste është kthjellimi i secilit demokrat.
Sot është koha finale e vendimeve te kujdesshme por të guximshme.
Partia Demokratike dhe lideri i saj Lulzim Basha kanë demostruar se dhe me kosto politike partiake kur është puna për vendime kombëtare janë të pakthyeshëm dhe stoikë.
Jo për karrike por për mision!
Jo për egoizëm por për idealizëm!
Aty ku vdes apo tjetërsohet idealizmi lind si kërpurdhë helmuese narcizmi

Continue Reading
Advertisement

TRENDING