Connect with us

Aktualitet

RANE KETO BOMBA E U PAME

Sonila Meco
Sa herë ka krizë globale, qeveria shqiptare gjen qetësi morale.

Sepse faji…është gjithmonë diku tjetër.

Meraku i pushtetit për rritjen e çmimeve prej krizës së Lindjes së Mesme nuk mund të shfaqet kaq i pafajshëm si ai i çdo qytetari të kësaj klime e toke të lume.

Madje ky pushtet duhet vënë para përgjegjësisë për ndërvarësinë e frikshme ndaj krizave të çdo lloji.

Në 13 vite nuk stimuloi prodhimin vendas, përkundrazi. Grabiti edhe fondet e destinuara nga BE për fermerin shqiptar. E tkurri sektorin bujqësor në mbijetesë.

Në 13 vite largoi fuqinë punëtore në valë emigracioni epik.

Largoi mendjet krijuese, shkencëtarët, inxhinierët, agronomët, fizikantët, profesionistët nga çdo degë prodhuese e ekonomisë.

Shpopulloi fshatra e zona pjellore, arnoi rrugë të shkalafitura, dërrmoi infrastrukturë, mu bash aty ku natyra e Zoti sollën bollëk.

Një vend të pasur me naftë e shndërroi në importues, duke ia rritur çmimet artificialisht në pikat e karburanteve që në kohë paqeje e jo më në kohë lufte.

Shqipëria ka ndër kostot më të larta të jetesës në raport me të ardhurat në rajon. Pa krizë globale madje.

Dilni e shihni kullat e zbrazëta nga jetët. Ç’strukturë e shëndetshme ekonomike mund të gjallojë nëpër fantazma betoni?

Çdo tender i fryrë, çdo koncesion i dyshimtë, çdo projekt me kosto të shumëfishuar përkthehet në borxh publik, kosto më të lartë për biznesin dhe çmime më të larta për qytetarët.

Nëse një rrugë kushton dyfishin e rajonit, dikush paguan diferencën në taksa dhe çmime. Dhe ai dikush është qytetari.

Nuk mashtron dot askënd vaji i kryeministrit për gjëmat globale, sepse kriza që përjetojmë ne në luftë e paqe nuk vjen nga Lindja e Mesme, por nga modeli i qeverisjes.

13 vite ekonomi e ndërtuar mbi PPP, koncesione, sektor ndërtimi, remitanca dhe turizëm sezonal. Pra jemi të dënuar që një “teshtimë” diku të na fusë “plevitin” këtu.

Edhe pa krizë në Lindjen e Mesme, në Shqipëri, inflacioni perceptohet më i rëndë se në vendet e tjera të rajonit, madje edhe kur shifrat nominale janë të ngjashme. Sepse fuqia blerëse është më e ulët, sepse struktura e tregut nuk e njeh konkurencën e lirë, sepse korrupsioni rrit koston e çdo hallke të zinxhirit.

Një ekonomi me konkurrencë reale amortizon goditjet. Një ekonomi me monopole e oligopole i përdor goditjet për të rritur marzhet e fitimit mbi shpinën e palosur të shqiptarëve.

S’ka asnjë befasi, krizat globale janë ciklike. Ama deformimet strukturore janë zgjedhje lokale. Zgjedhje që kanë vetëm një autor në 13 vite.

Andaj çdo justifikim mbi ndikimin e krizës globale nuk nis në Lindjen e Mesme, por në një zyrë shumë pranë ish vilës së diktatorit në Tiranë.

Advertisement