Sociale
Rritje e kapaciteteve të strukturave administrative për migracionin dhe diasporën në qeverisjen vendore
Rritja e kapaciteteve të strukturave administrative për migracionin dhe diasporën në qeverisjen vendore ishte në qendër të takimit që zhvilloi ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko me përfaqësues të GIZ.
Programi i GIZ “Migracioni dhe Diaspora”, përmes komponentit “Qeverisja e Migracionit” po mbështet ngritjen dhe rritjen e kapaciteteve të strukturave administrative për migracionin dhe diasporën në qeverisjen vendore, me qëllim ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për migrantët dhe komunitetet shqiptare në diasporë.
Ministri i shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Bekim Murati, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku dhe përfaqësuesi i GIZ, Jonny Bodo, zhvilluan një takim për të jetësuar projektin që do të trajnojë stafin në njësitë e reja administrative të qeverisjes vendore dhe strukturat bashkiake që hartojnë planet strategjike të zhvillimit ekonomik vendor, për të forcuar marrëdhëniet dhe nxitur influencën që ka migracioni dhe diaspora në zhvillimin ekonomik, politik e kulturor të vendit.