Bota
SHBA GODET IRANIN, HAKMERRET PASDARAN
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaroi se ka ndërmarrë një sulm ndaj një baze ajrore amerikane në Lindjen e Mesme, të cilën e konsideron si pikën nga ku u nisën sulmet amerikane ndaj objektivave iraniane gjatë orëve të para të ditës së sotme.
Sipas mediave shtetërore iraniane, IRGC nuk ka bërë të ditur vendndodhjen e saktë të bazës së shënjestruar. Shtetet e Bashkuara disponojnë disa baza ushtarake dhe ajrore në vende të ndryshme të rajonit.
Agjencia iraniane e lajmeve “Fars”, duke cituar një deklaratë të zyrës së marrëdhënieve me publikun të IRGC-së, raportoi se sulmi erdhi pas një operacioni amerikan pranë aeroportit Bandar Abbas.
“Pas agresionit të kryer nga ushtria amerikane kundër një objekti në periferi të aeroportit Bandar Abbas, baza ajrore amerikane e identifikuar si burimi i sulmit u godit në orën 04:50 të mëngjesit”, thuhet në deklaratë.
IRGC e cilësoi reagimin e saj si “një paralajmërim serioz” për SHBA-në, duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj Iranit nuk do të mbetet pa përgjigje.
Ndërkohë, Ushtria e Kuvajtit njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dronë dhe raketa “armiqësore”, pa dhënë detaje mbi origjinën e tyre.
Në të njëjtën kohë, në lindje të qytetit strategjik iranian Bandar Abbas u dëgjuan të paktën tre shpërthime. Bandar Abbas konsiderohet një pikë kyçe ushtarake dhe detare pranë Ngushticës së Hormuzit.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se ushtria amerikane kishte rrëzuar katër dronë iranianë dhe kishte goditur një stacion kontrolli tokësor në Bandar Abbas, i cili dyshohej se po përgatitej të lëshonte një dron të pestë.
CNN raportoi se ka kërkuar një reagim zyrtar nga Komanda Qendrore e SHBA-së lidhur me zhvillimet e fundit.