Connect with us

Aktualitet

Shkencëtarët ngrenë alarmin: Këto 11 lloje kanceri po rriten me shpejtësi te të rinjtë!

Një analizë e madhe nga Instituti Kërkimor për Kancerin (Institute of Cancer Research) dhe Imperial College London ka ngritur shqetësim, pasi tregon se 11 lloje kanceri po bëhen gjithnjë e më të shpeshta tek të rinjtë në Angli.

Edhe pse shkaku i plotë mbetet ende i paqartë, studiuesit kanë identifikuar një faktor që mund të luajë rol: rritja e mbipeshës dhe obezitetit ndër vite. Sipas tyre, ky faktor mund të ndikojë në ndryshimet hormonale në trup, por nuk shpjegon gjithçka.

Rritje është vërejtur në disa lloje kanceri, përfshirë atë të zorrës së trashë, gjirit, tiroides, mëlçisë, pankreasit, veshkave, si dhe kancerin e vezoreve dhe mitrës. Më të zakonshmit tek të rinjtë mbeten kanceri i zorrës dhe ai i gjirit.

Një nga rastet që ka prekur opinionin është ai i 23-vjeçarit Bradley Coombes, i cili humbi jetën nga kanceri i zorrës së trashë, pavarësisht se kishte simptoma të qarta. Sipas nënës së tij, Caroline Mousdale, mjekët fillimisht nuk e morën seriozisht gjendjen për shkak të moshës së re.

Studimi tregon se shumë faktorë të njohur si duhani, alkooli apo dieta e varfër nuk janë rritur, përkundrazi, në disa raste janë përmirësuar. Kjo e bën edhe më të vështirë shpjegimin e fenomenit.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se rreth 40% e rasteve të kancerit mund të parandalohen përmes stilit të jetesës, si aktiviteti fizik dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme.

“Është shqetësuese të dëgjosh që kanceri po rritet tek të rinjtë, por ka gjëra që mund të bëjmë për të ulur rrezikun,” u shpreh Prof. Montserrat García Closas.

Edhe pse rastet tek të rinjtë janë në rritje, ato mbeten më të rralla krahasuar me moshat e mëdha: rreth 1 në 1000 të rinj diagnostikohen çdo vit, krahasuar me 1 në 100 tek të moshuarit.

Shkencëtarët po vazhdojnë kërkimet për faktorë të tjerë të mundshëm, përfshirë ushqimet ultra të përpunuara, ndotjen, bakteret e zorrëve dhe kimikatet industriale.

Studimi është publikuar në revistën shkencore BMJ Oncology.

Advertisement