Partia Demokratike e Shqipërisë ka vendosur të thërrasë Kuvendin Kombëtar më 30 maj 2026, në orën 11:00, duke përcaktuar edhe axhendën e punimeve në një vendim të bërë publik nga Zyra e Medias dhe Komunikimit.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë në mbështetje të Statutit të partisë dhe synon adresimin e çështjeve kryesore politike në vend. Në rendin e ditës përfshihen diskutime mbi situatën aktuale politike, sfidat e integrimit evropian, si dhe problematika që lidhen me funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Një nga pikat kyçe të këtij Kuvendi pritet të jetë përcaktimi i vijës së aksionit politik të Partisë Demokratike për periudhën në vijim. Po ashtu, grupet e punës do të prezantojnë propozimet për ndryshime statutore, të cilat pritet të diskutohen dhe miratohen gjatë mbledhjes.
Në axhendë janë përfshirë edhe nisma që lidhen me modernizimin e partisë, përfshirë platforma për dixhitalizimin dhe riorganizimin e strukturave, si dhe zgjerimin e tyre në diasporë.
Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar do të bëhet edhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
