Aktualitet
Vinte baste me celular në lokalin e tij, vihet në pranga 24-vjeçari
Një 24-vjeçar në zonën e Kombinatit në Tiranë ka rënë në pranga për shkak se përveç barit, lokalin e tij e përdorte edhe si pikë bastesh.
Në telefonin e tij policia ka gjetur disa faqe aktive të kompanive të basteve, me të cilat i riu operonte.
NJOFTIMI I POLICISË – Tiranë/Vijon operacioni i koduar “Fati i lojërave”. Zbulohet në Kombinat, një tjetër lokal, ku viheshin baste sportive, me celular
Arrestohet shtetasi që kishte në përdorim ambientin, si dhe i sekuestrohet celulari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë kontrolleve në lokale dhe në ambiente të tjera, të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Fati i lojërave”, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të përshtatjes së këtyre ambienteve, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, konstatuan se në një lokal në zonën “Kombinati”, viheshin baste sportive, me celular.
Për këtë rast u vu në pranga shtetasi që kishte në përdorim ambientin, Xh. Xh., 24 vjeç.
Nga verifikimet në celularin e tij, u konstatuan faqe aktive, për vënie të basteve sportive.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie, vijojnë në të gjithë territorin e qarkut.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.