Aktualitet
Shtyrja e vendimit në Hagë, hapi i radhës në strategjinë kundër Kosovës
Nga Hisen Berisha
Kam paralajmëruar edhe më herët, me kërkesë të miqve, se ndërhyrja politike në proceset e drejtësisë në Hagë është e rrezikshme dhe e papranueshme. (Njëri nga artikujt e botuar: https://www.epokaere.com/strategjia-per-delegjitimimin-e-uck-se-dhe-provokimin-e-perplasjes-qytetare/).
Raportimet mediatike për takimin ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit francez Emmanuel Macron ngritën shqetësime serioze se kemi të bëjmë me një qasje që nuk i shërben as drejtësisë dhe as interesit shtetëror të Kosovës. Sipas këtyre raportimeve, është pretenduar se Kryeministri Kurti ka kërkuar që të akuzuarit në Hagë të mos lirohen, duke e lidhur këtë me zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nëse këto raportime janë të sakta, atëherë nuk kemi të bëjmë me mbrojtje të drejtësisë, por me një përpjekje për të ndikuar në një proces që, në çdo standard demokratik, duhet të mbetet plotësisht i pavarur nga politika.
Po aq shqetësuese janë edhe raportimet për komunikime të përgjuara, rrjedhje informacioni dhe agjenda takimesh që, sipas mediave, kanë qenë të njohura paraprakisht nga aktorë të ndryshëm rajonalë. Pavarësisht vërtetësisë së tyre, vetë ekzistenca e këtyre pretendimeve dëshmon se çështja e Hagës është shndërruar në një temë me ngarkesë të madhe politike dhe gjeostrategjike.
Kosovës nuk i duhen deklarata patriotike, por veprime konkrete.
Nëse synimi është mbrojtja e interesit kombëtar, atëherë, përveç deklarimeve publike të Kryeministrit Edi Rama në Parlamentin Evropian dhe në Tiranë, do të duhej të ishte ndërmarrë një nismë serioze ligjore për amendamentimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, veçanërisht në pjesën që lidhet me pranimin e dëshmive të siguruara nga strukturat e shtetit serb, hetuesia dhe prokuroria serbe apo ruse, si dhe nga persona me interesa të qarta subjektive.
Fjalët e mëdha pa veprime konkrete nuk ndryshojnë asnjë proces.
Shtyrja e vendimit të Dhomave të Specializuara deri në shtator nuk duhet parë si fund i procesit. Përkundrazi, ajo mund të jetë tregues se procedura do të vazhdojë edhe për një periudhë të gjatë, ndoshta deri në vitin 2028. Çdo zhvillim politik në rajon duhet lexuar me kujdes, sidomos në kohën kur flitet për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në paketa të përbashkëta dhe me afate të përshpejtuara.
Sipas vlerësimeve dhe informatave administrative, aktakuza, e cila fillimisht synonte ta paraqiste në mënyrë kolektive Lëvizjen Kombëtare për Liri – UÇK-në si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, pritet të fokusohet tashmë në përgjegjësinë individuale të secilit prej të akuzuarve. Në të njëjtën frymë, edhe masat ndëshkuese pritet të shqiptohen individualisht, në varësi të peshës së provave dhe dëshmive të administruara gjatë procesit gjyqësor. Kjo nënkupton se secili prej të akuzuarve mund të përballet me një vendim të ndryshëm, varësisht nga provat që gjykata i konsideron të provuara.
Nëse ky zhvillim konfirmohet, atëherë bie koncepti i përgjegjësisë kolektive mbi UÇK-në, por procesi nuk përfundon. Përkundrazi, ai mund të zgjasë edhe më tej, duke e mbajtur çështjen aktive dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike që lidhen me Kosovën.
Nëse raportimet për bisedën Kurti-Macron janë të sakta dhe nëse lirimi i të akuzuarve shihet si pengesë për zbatimin e planit evropian, atëherë lind pyetja nëse vazhdimi i mbajtjes së tyre në Hagë po përdoret si element që lehtëson zbatimin e agjendave të caktuara politike në raport me Kosovën.
Nëse kjo logjikë vazhdon, Marrëveshja e Ohrit rrezikon të shndërrohet në një mekanizëm që dobëson subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Në praktikë, Serbia ka fituar kohë duke mos pasur detyrim për njohjen e Kosovës apo ndryshimin e Kushtetutës së saj, ndërsa procesi i normalizimit po ecën kryesisht përmes ndryshimeve që po ndodhin në Kosovë.
Ky është shqetësimi që duhet trajtuar me seriozitet, jo me propagandë.
Projekti i vjetër për një “Republikë të Tretë”, që synonte ta mbante Kosovën nën ndikimin e Serbisë, rrezikon të marrë forma të reja përmes proceseve integruese evropiane dhe kompromisve të njëpasnjëshme politike.
Po aq vëmendje kërkon edhe ligji për shtetësinë. Nëse ai lejon që çdo shtetas serb që ka qenë në Kosovë në janar të vitit 1998 të fitojë shtetësinë vetëm mbi bazën e dokumenteve administrative të regjimit të Millosheviqit, atëherë krijohet një çështje serioze me pasoja afatgjata demografike, politike dhe institucionale. Ligji duhet të vendosë kritere të qarta që përjashtojnë përfitimin automatik nga strukturat e kolonizimit dhe të aparatit shtetëror serb të kohës.
Ligjet duhet të hartohen mbi bazën e mbrojtjes së interesit shtetëror, jo mbi logjikën e kompromisit të pakushtëzuar.
Në të kundërt, ekziston rreziku që komuniteti serb të instrumentalizohet politikisht për të ndryshuar raportet e brendshme kushtetuese dhe institucionale në Kosovë.
Kosova përballet me rreziqe serioze. Ato nuk burojnë vetëm nga jashtë, por edhe nga vendime të brendshme që mund t’i hapin rrugë rikthimit të ndikimit institucional të Serbisë.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, nevojitet maturi, transparencë dhe mbrojtje e pakompromis e interesit shtetëror.
Politika e mençur dhe diplomacia e mbështetur në argumente, në koordinim me aleatët strategjikë të Kosovës, mbeten mekanizmat më të mirë për mbrojtjen e shtetit.
Por kur këto interesa rrezikohen nga vendimmarrja e aktorëve të brendshëm, mbrojtja e interesit kombëtar bëhet detyrim qytetar dhe politik. Përgjegjësia politike dhe historike për çdo vendim që dëmton shtetin është e pashmangshme. Historia ka dëshmuar se çdo politikë që bie ndesh me interesin kombëtar, herët a vonë, bart edhe koston e saj.