Aktualitet
Siguria e brishtë, Ballkani po riarmatoset dhe Shqipëria nuk është më në periferi
Ballkani po ndryshon mënyrën si mendon për sigurinë. Jo përmes paralajmërimeve të hapura për luftë apo krijimit të aleancave të reja ushtarake, por përmes një procesi më të heshtur: rikonfigurimit të infrastrukturës së mbrojtjes, partneriteteve strategjike, sigurisë energjetike dhe kapaciteteve digjitale.
Këtë panoramë e përshkruan raporti Defence & Security in Southeast Europe 2026: Preparing for a New World, i publikuar nga SeeNext, sipas të cilit Evropa Juglindore po hyn në një fazë të re organizimi strategjik, e nxitur nga lufta në Ukrainë, fragmentimi i arkitekturës evropiane të sigurisë dhe perceptimi në rritje se stabiliteti nuk mund të merret më si i mirëqenë.
Në këtë transformim, Shqipëria nuk paraqitet më si një aktor periferik i NATO-s apo si vend me rol të kufizuar në zhvillimet rajonale. Përkundrazi, raporti sugjeron se pozicioni i saj po fiton rëndësi të re për shkak të gjeografisë, marrëveshjeve strategjike dhe rolit potencial në korridoret e transportit, sigurinë energjetike dhe mbrojtjen kibernetike.
Dokumenti synon rritjen e ndërveprueshmërisë ushtarake, zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes, koordinimin ndaj kërcënimeve hibride dhe mbështetjen e integrimit euroatlantik, veçanërisht për Kosovën.

Sipas leximit që bën raporti, kjo retorikë nuk duhet parë vetëm si reagim diplomatik, por si simptomë e një klime të re pasigurie në Ballkan pas pushtimit rus të Ukrainës. Lufta ka rikthyer tensione të vjetra politike, narrativa nacionaliste dhe një tendencë më të fortë për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse në rajon.
Megjithatë, autorët paralajmërojnë kundër alarmizmit: marrëveshjet e fundit ushtarake nuk përmbajnë detyrime të mbrojtjes kolektive dhe nuk ndryshojnë thelbësisht balancën e forcës në Ballkan. Për disa ekspertë, ato përfaqësojnë më shumë sinjalizim diplomatik dhe politik të brendshëm sesa krijim të aleancave reale ushtarake.
Në këtë kontekst, edhe afrimi mes Serbisë dhe Hungarisë – i interpretuar gjerësisht si kundërpeshë ndaj deklaratës së Tiranës – shihet më shumë si reflektim i afërsisë politike mes dy qeverive sesa si krijim i një strukture të re sigurie me pasoja të drejtpërdrejta ushtarake.
Por nëse raporti shmang idenë e një konflikti të afërt në Ballkan, ai është i qartë në një pikë tjetër: rajoni po militarizohet gradualisht në një kuptim më të gjerë. Siguria nuk matet më vetëm me tanke apo ushtarë, por me aftësinë për të lëvizur shpejt trupa, për të mbrojtur rrjetet energjetike, për t’u përballur me sulme kibernetike dhe për të ruajtur zinxhirët logjistikë.
Në këtë logjikë, lufta moderne nis shumë përpara fushëbetejës – në porte, hekurudha, autostrada, sisteme energjie dhe rrjete komunikimi.
Pikërisht këtu hyn koncepti që ekspertët evropianë dhe të NATO-s po e quajnë gjithnjë e më shpesh “Schengen Ushtarak”: ideja që trupat dhe pajisjet ushtarake duhet të lëvizin përgjatë Evropës me të njëjtën shpejtësi si njerëzit dhe mallrat në tregun e përbashkët.
Që prej vitit 2022, Bashkimi Evropian dhe NATO kanë rritur investimet në infrastrukturë me përdorim të dyfishtë – civile dhe ushtarake – duke e konsideruar Evropën Juglindore nyje kyçe për krahun lindor të Aleancës.
Në këtë panoramë, Shqipëria fiton një rol më konkret për shkak të pozicionit të saj gjeografik. Raporti ndalet veçanërisht te Korridori VIII, rrjeti strategjik që lidh Adriatikun me Bullgarinë dhe më tej me lindjen e Evropës.

Në shkurt të këtij viti, NATO e përcaktoi këtë korridor si infrastrukturë kritike për transportin e shpejtë të trupave dhe pajisjeve ushtarake nga bregdeti Adriatik drejt lindjes, duke i dhënë një rëndësi të re strategjike portit të Durrësit.
Ndryshimi, megjithatë, nuk lidhet vetëm me logjistikën ushtarake. Rrugët, portet, urat dhe hekurudhat po marrin gradualisht funksion të dyfishtë: jo vetëm për tregti dhe zhvillim ekonomik, por edhe për reagim ndaj krizave të sigurisë.
Në këtë kuptim, Shqipëria nuk shihet më vetëm si vend tranziti, por si pjesë e një rrjeti më të gjerë sigurie që lidh transportin, logjistikën dhe integrimin euroatlantik.
Dikur i konsideruar kryesisht projekt ekonomik, Korridori VIII po fiton gjithnjë e më shumë një dimension strategjik në një Evropë që po mendon sigurinë ndryshe.
Por nëse infrastruktura po bëhet pjesë e sigurisë, energjia po shndërrohet në një tjetër front po aq të rëndësishëm. Sipas raportit, pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si Evropa e kupton sigurinë energjetike.
Për dekada, një pjesë e madhe e Evropës Juglindore mbështetej te gazi rus dhe rrjetet tradicionale të tranzitit. Sot, kjo varësi po zëvendësohet nga një logjikë diversifikimi, ku korridoret energjetike konsiderohen pjesë e drejtpërdrejtë e mbrojtjes kombëtare dhe kolektive.
Në këtë rikonfigurim, Shqipëria shfaqet si një hallkë me rëndësi përmes Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), një prej projekteve më strategjike energjetike në rajon. Raporti kujton se TAP lidh kufirin turko-grek me Italinë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik, duke transportuar gaz nga rajoni i Kaspikut drejt tregut evropian.
Që prej fillimit të vitit 2026, faza e parë e zgjerimit të kapaciteteve të gazsjellësit është bërë operacionale, duke rritur furnizimet për Italinë, Greqinë dhe vendet e Ballkanit.
Për raportin, rëndësia e TAP-it nuk qëndron vetëm te furnizimi me energji, por te roli i tij në përpjekjen evropiane për të reduktuar varësinë nga Rusia dhe për të krijuar një arkitekturë më të qëndrueshme energjetike.
Në këtë këndvështrim, mbrojtja moderne nuk mund të funksionojë pa siguri energjetike: industria ushtarake konsumon sasi të mëdha energjie, ndërsa bazat ushtarake, rrjetet e komunikimit dhe infrastruktura kritike varen nga furnizimi i qëndrueshëm.

Për këtë arsye, investimet në terminalet e gazit të lëngshëm, gazsjellësit ndërkufitarë dhe interkonektorët energjetikë nuk paraqiten më vetëm si projekte ekonomike, por si pjesë e një infrastrukture të re sigurie evropiane.
Në rastin e Shqipërisë, ky dimension bëhet veçanërisht i dukshëm për shkak të pozicionit të saj në kryqëzimin e korridoreve të transportit dhe energjisë në rajon.
Megjithatë, një nga transformimet më pak të dukshme – por potencialisht më të rëndësishme – po zhvillohet në hapësirën digjitale.
Raporti e trajton mbrojtjen kibernetike si një prej fronteve kryesore të sigurisë në Evropën Juglindore, sidomos në një kohë kur sulmet hibride, sabotimi digjital dhe ndërhyrjet ndaj infrastrukturës kritike po konsiderohen kërcënime reale për shtetet evropiane.
Këto kërcënime nuk kërkojnë tanke apo avionë luftarakë; ato mund të paralizojnë institucione, sisteme energjetike dhe rrjete komunikimi pa kaluar asnjë kufi fizik.
Pikërisht këtu Shqipëria merr një tjetër peshë në analizë. Pas sulmeve kibernetike që goditën vendin në vitin 2022, Tirana ka investuar në forcimin e mbrojtjes digjitale. Raporti evidenton krijimin e Njësisë së Sigurisë Kibernetike Ushtarake në vitin 2024, të mbështetur me 8.4 milionë dollarë financim nga Shtetet e Bashkuara, me synimin për të mbrojtur rrjetet e mbrojtjes dhe për të koordinuar reagimin me partnerët e NATO-s.
Për autorët e analizës, ky zhvillim pasqyron një ndryshim më të gjerë në mënyrën si konceptohet siguria. Kufijtë e shtetit nuk mbrohen më vetëm në tokë, det apo ajër, por edhe në serverë, sisteme të dhënash dhe rrjete kritike që mbështesin funksionimin e institucioneve dhe ekonomisë. Në një epokë të kërcënimeve hibride, rezistenca digjitale po bëhet po aq e rëndësishme sa kapacitetet tradicionale ushtarake.
Në leximin që bën raporti, pyetja kryesore për Ballkanin nuk është më nëse rajoni po armatoset, por çfarë forme po merr ky riarmatim. Për një pjesë të opinionit publik, militarizimi vazhdon të lidhet me tanke, avionë luftarakë apo retorikë nacionaliste.
Megjithatë, transformimi aktual duket shumë më kompleks: ai përfshin logjistikën, energjinë, mbrojtjen digjitale, zinxhirët e furnizimit dhe teknologjitë që shpesh mbeten larg vëmendjes publike, por që përcaktojnë aftësinë reale të një shteti për të përballuar kriza sigurie.
Nëse ka një sektor që po përfiton drejtpërdrejt nga tensionet e reja gjeopolitike, ai është industria e mbrojtjes.
Sipas raportit, lufta në Ukrainë ka krijuar një kërkesë të re dhe të qëndrueshme për municione, sisteme mbrojtëse, dronë dhe teknologji ushtarake, duke i dhënë shtysë sektorit të sigurisë në Evropën Juglindore. Vendet e rajonit po tërheqin miliarda euro investime në prodhimin e municioneve, mjeteve të blinduara dhe teknologjive të mbrojtjes, të nxitura nga partneritete strategjike, kapital privat dhe një brez i ri kompanish teknologjike.
Megjithatë, tabloja rajonale mbetet e pabarabartë. Raporti identifikon Bullgarinë si aktorin më të fortë të industrisë së mbrojtjes në rajon, me një treg që tejkalon 5.7 miliardë euro, i mbështetur nga prodhimi vendas dhe eksportet e armëve, veçanërisht drejt Ukrainës.
Ndërkohë, Rumania dhe Greqia po lëvizin më fort drejt teknologjive të avancuara të mbrojtjes, elektronikës dhe sistemeve të sofistikuara të sigurisë, ndërsa Serbia vijon të ruajë një bazë të konsoliduar në prodhimin tradicional të armatimeve dhe municioneve.
Në Ballkanin Perëndimor, industria e mbrojtjes mbetet më e kufizuar. Shqipëria, së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Moldavinë, përshkruhet si një treg në transformim, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi konsiderohen ende në një fazë më të hershme zhvillimi.
Për Shqipërinë, analiza nuk parashikon ngritjen e menjëhershme të një industrie të rëndësishme ushtarake; rëndësia e saj shihet më shumë te aftësia për t’u integruar në rrjetet rajonale të logjistikës, sigurisë dhe teknologjisë.

Në një rajon ku siguria lidhet gjithnjë e më shumë me interoperabilitetin, standardet e NATO-s dhe rrjetet ndërkufitare, Shqipëria mund të përfitojë nga pozicionimi i saj gjeografik dhe politik, edhe pa pasur peshën industriale të ekonomive më të mëdha të rajonit.
Raporti sugjeron se avantazhi i saj nuk qëndron te prodhimi masiv i armatimeve, por te roli që mund të luajë si nyje strategjike e transportit, energjisë dhe bashkëpunimit euroatlantik.
Megjithatë, transformimi më domethënës mund të jetë ai teknologjik. Për dekada, Evropa Juglindore është parë kryesisht si konsumator sigurie – një rajon që varej nga mbështetja e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për stabilitetin e tij.
Sot, sipas raportit, zhvillimet në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, sistemet e dronëve dhe teknologjitë e komunikimit po krijojnë mundësi të reja edhe për shtete që historikisht nuk kanë pasur industri të mëdha ushtarake.
Në këtë drejtim, disa vende të rajonit tashmë po ndërtojnë profile të reja teknologjike. Greqia dhe Rumania po integrohen më fort në projektet evropiane të mbrojtjes dhe inovacionit, Bullgaria po investon në sisteme kibernetike dhe komunikimi, ndërsa Serbia ruan një ekosistem relativisht të zhvilluar softuerik dhe të sigurisë digjitale.
Shqipëria mbetet më modeste, por investimet në mbrojtjen kibernetike dhe integrimi më i ngushtë me strukturat e NATO-s mund ta bëjnë pjesë të këtij transformimi gradual.
Pyetja që përshkon gjithë analizën mbetet nëse këto zhvillime po e bëjnë Ballkanin më të sigurt apo më të brishtë. Raporti nuk jep një përgjigje përfundimtare.
Disa ekspertë argumentojnë se fragmentimi i hapësirës së sigurisë dhe rivalitetet politike mund të rrisin tensionet dhe mosbesimin mes vendeve. Të tjerë e shohin këtë proces si një përshtatje të natyrshme me realitetin e ri evropian pas Ukrainës, pa nënkuptuar domosdoshmërisht rrezik për konflikt të drejtpërdrejtë.

Në fund, raporti propozon tre skenarë për të ardhmen e rajonit: integrim më të thellë në strukturat euroatlantike, fragmentim me rivalitete më të forta rajonale ose një model të “konkurrencës së kontrolluar”, ku militarizimi vazhdon pa kaluar në përplasje të hapur.
Asnjë prej tyre nuk shihet si i pashmangshëm. Por vetë fakti që këto skenarë diskutohen sot tregon se Ballkani po hyn në një fazë të re pasigurie strategjike – më të ndryshme nga ajo e viteve ’90, por jo domosdoshmërisht më pak domethënëse.
Në leximin që bën raporti i SeeNext, Shqipëria nuk po shndërrohet në një fuqi ushtarake rajonale dhe as nuk synon një rol dominues në Ballkan.
Megjithatë, në një kohë kur kuptimi i sigurisë po zgjerohet – nga korridoret rrugore te energjia, infrastruktura digjitale dhe koordinimi me partnerët euroatlantikë – vendi duket se po fiton një peshë strategjike më të madhe sesa ajo që kishte për dekada.
Dhe ndoshta kjo është vetë historia që përpiqet të tregojë raporti: Ballkani mund të mos jetë duke u përgatitur për luftën e radhës, por sigurisht po përgatitet për një botë më të pasigurt.