Connect with us

Politike

S’ka gjuhë druri/ Çfarë po i kërkon BE-ja Shqipërisë që politika nuk e shpjegon qartë

Në Shqipëri, negociatat me Bashkimin Evropian nuk janë vetëm një proces teknik, pasi ato janë bërë edhe pjesë e betejës së brendshme për pushtet. Qeveria i shpjegon negociatat si sukses të vazhdueshëm, ndersa pozita i sheh si dështim. Të dyja palët flasin shumë, por asnjëra nuk i shpjegon qytetarit çfarë po kërkohet realisht.
Dhe kështu duket se krijohet një paqartësi e qëllimshme – sa më pak të kuptohet procesi, aq më lehtë interpretohet sipas interesit politik.
Duhet thënë qartë se Shqipëria nuk është duke negociuar me Bashkimin Evropian në kuptimin klasik të fjalës. Nuk është një tavolinë ku dy palë japin e marrin. Nuk është një proces ku Shqipëria thotë këtë e bëj dhe këtë nuk e bëj. Është një proces ku Bashkimi Evropian i thotë Shqipërisë: bëhu si ne, pastaj hajde. Kaq e thjeshtë është. Gjithçka tjetër është gjuhë teknike për ta zbutur këtë realitet dhe për të gjetur një gjuhë të mjegullt. Këtu ndahet propaganda nga realiteti, sepse këtu nuk ka deklarata. Ka vetëm fakte.
Në këtë pikë lind një keqkuptim i madh, sepse shume njerëz mendojnë se negociatat mund të bllokohen nga Evropa dhe që dikush në Bruksel vendos të na ndalë.
E vërteta është më e ashpër. Negociatat nuk bllokohen. Ato ngadalësohen nga vetë realiteti i brendshëm i vendit ose nga politika dhe gjeopolitika e kohës.
Sepse çdo kapitull mbyllet vetëm kur Shqipëria provon se e ka ndryshuar realisht mënyrën si funksionon shteti. Jo në letër por në praktikë.
Dhe në fund, edhe kur kjo ndodh, ekziston një kusht tjetër që rrallë thuhet: të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të jenë dakord, ose një vend i vetëm mund ta ndalë gjithë procesin.
Kjo do të thotë se negociatat nuk janë vetëm teknike. Janë thellësisht politike.
Por mbi të gjitha, janë një proces që nuk varet nga fjalët.
Në thelb, Shqipëria nuk është duke negociuar me Bashkimin Evropian. Është duke negociuar me vetveten.
Me mënyrën si funksionon drejtësia. Me mënyrën si funksionon politika. Me mënyrën si funksionon shteti. Nëse ky proces do të shpjegohej me një fjali të vetme për një qytetar të zakonshëm, ajo do të ishte kjo:
“Shqipëria nuk duhet të bindë Evropën me fjalë. Duhet të bindë realitetin me veprime, dhe deri sa kjo të ndodhë, çdo deklaratë politike për sukses do të jetë vetëm një interpretim”.

Advertisement