✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

SPAK operacion, goditet një grup kriminal i trafikut të drogës! Urdhërarrest për Indrit Doklen, një në pranga

SPAK, BKH dhe Policia e Shtetit finalizojnë operacionin për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik droge.
Një 50-vjeçar është arrestuar në orët e para të mëngjesit në Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Muri i Lartë”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK-ut.

Në pranga ka rënë Bledar Cafi, 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër. Arrestimi i tij u krye në banesë, pas vendimit të GJKKO-së, e cila më 25 shtator 2026 kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Cafi dyshohet për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat që lidhen me grupin e strukturuar kriminal.

Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH, në zbatim të urdhrave të SPAK-ut dhe vendimit të Gjykatës.

Një tjetër person në kërkim
Në kuadër të të njëjtit operacion, autoritetet kanë ushtruar kontrolle edhe në ambientet që i përkasin E. D., alias I. D., 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë.

Ai rezulton person në kërkim që prej vitit 2024 dhe ndaj tij GJKKO ka caktuar gjithashtu masën “arrest me burg” për vepra penale që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe grupin e strukturuar kriminal.

Gjatë kontrolleve, 43-vjeçari nuk është gjetur në banesë. Policia njofton se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Operacioni është ende në zhvillim dhe autoritetet pritet të japin të tjera detaje në vijim.

Advertisement