Bota
Marrëveshja SHBA-Iran e mundur që sot/ Rubio: Izraeli do të ketë gjithmonë të drejtën për të mbrojtur veten
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, e quajti absurde pretendimet se marrëveshja që Presidenti Donald Trump po bën me Iranin është e pamjaftueshme. Gjatë një udhëtimi në Indi, Rubio u tha gazetarëve se angazhimi i presidentit për ta ndaluar Iranin të ketë një armë bërthamore nuk duhet të vihet në dyshim nga askush.
“Ideja që ky president, duke pasur parasysh gjithçka që ai tashmë ka provuar se është i gatshëm të bëjë, do të bjerë dakord për një marrëveshje që në fund të fundit do ta vendosë Iranin në një pozicion më të fortë kur bëhet fjalë për ambiciet bërthamore është absurde”, tha Rubio.
Trump tha të shtunën se një marrëveshje më e gjerë midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është “negociuar gjerësisht” dhe se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet. Rubio përshëndeti progresin e arritur dhe shtoi se ekziston mundësia që gjatë orëve të ardhshme, bota të marrë lajme pozitive lidhur me këto bisedime.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, shprehu optimizëm të kujdesshëm se Uashingtoni mund të ketë “lajme”, ndoshta edhe brenda ditës, në lidhje me një projekt-marrëveshje në negociata për t’i dhënë fund luftës me Iranin .
“Prisnim të kishim lajme mbrëmë, ndoshta sot (të hënën), por nuk do të paragjykoj asgjë”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në New Delhi, duke iu referuar mundësisë së përfundimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës që filloi me bombardimet SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt.
Ai theksoi se Izraeli do të ketë “gjithmonë të drejtën për të mbrojtur veten”, pavarësisht nga çdo marrëveshje që mund të arrihet midis Uashingtonit dhe Teheranit, duke përsëritur qëndrimin e shprehur dje, të dielën, nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
“Izraeli gjithmonë ka të drejtë të mbrohet. Çdo vend në botë e ka këtë të drejtë. Dhe kështu, nëse Hezbollahu po përgatitet të lëshojë ose po lëshon raketa kundër tij, Izraeli ka të drejtë të hakmerret”, argumentoi Sekretari i Shtetit i SHBA-së.
Kryeministri izraelit siguroi dje se Presidenti i SHBA-së Donald Trump riafirmoi, gjatë bisedës telefonike, “të drejtën” e Izraelit për të kryer operacione ushtarake në Liban, ku ushtria izraelite po synon Hezbollahun.
