Kronike
Vodhi një automjet dhe goditi 4 makina teksa tentoi t’i arratisej policisë, arrestohet 30-vjeçari në Durrës
I shpallur në kërkim për vjedhje, 30-vjeçari tentoi t’i shpëtonte policisë me një automjet të vjedhur. Pas përplasjes së katër makinave, braktisi mjetin dhe u përpoq të arratisej në këmbë, por u kap nga efektivët.
Një 30-vjeçar është arrestuar në Durrës pas një ndjekjeje spektakolare nga Policia e Shtetit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në rrugën “Pavarësia”, ku efektivët e Stacionit të Policisë Plazh konstatuan një automjet pa targa dhe me xhama të zinj, që kryente manovra të rrezikshme.
Sapo ka parë policinë, drejtuesi ka shtuar shpejtësinë dhe nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar. Gjatë arratisjes, ai ka përplasur katër automjete, duke rrezikuar qytetarët dhe punonjësit e policisë.
Pas përplasjes, 30-vjeçari ka braktisur makinën dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është ndjekur dhe neutralizuar nga efektivët.
I arrestuari, me inicialet M. K., 30 vjeç, rezultoi se ishte shpallur në kërkim për vjedhjen e një automjeti në Tepelenë. Sipas policisë, makina me të cilën tentoi të largohej në Durrës ishte pikërisht automjeti i vjedhur një ditë më parë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, ndaj tij u ngritën akuzat për vjedhje, mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim të parregullt të automjetit.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.