Rajon
Vuçiç njoftoi se do t’i shiste municione Evropës, reagoi Kremlini
Rusia e kupton që Serbia është e ekspozuar ndaj një presioni të paparë, tha zëdhënësi i Presidentit të Federatës Ruse, Dmitry Peskov, duke komentuar deklaratën e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç në lidhje me municionet.
“Ne e kuptojmë presionin e paparë që po ushtrohet mbi serbët. Kjo është arsyeja pse situata është shumë komplekse. Ne i kuptojmë vështirësitë që po kalojnë serbët”, tha Peskov, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me deklaratën e Vuçiçit se Serbia është gati t’i shesë municione Bashkimit Evropian, raportoi RIA Novosti e Rusisë .
Në një intervistë të botuar më 30 tetor në revistën gjermane Cicero, Vuçiç tha se depot e municioneve në Serbi janë plot dhe se vendi po prodhon më shumë, veçanërisht predha mortaje.
“Depot tona janë plot me municione dhe ne vazhdojmë prodhimin, veçanërisht të predhave të mortajave. Ne prodhojmë më shumë municione se Franca. U kam ofruar miqve tanë në BE të lidhin një kontratë blerjeje dhe të marrin në dorëzim gjithçka që kemi”, tha Vuçiç.
Kur u pyet nëse këto municione mund të përfundonin në Ukrainë, Vuçiç u përgjigj: “Blerësit mund të bëjnë çfarë të duan me to.”
Vuçiç tha se Serbia mbetet ushtarakisht neutrale, por është e gatshme për bashkëpunim më të fortë me partnerët evropianë jashtë vendit.
Kujtojmë se këtë pranverë, shërbimi i inteligjencës ruse SVR publikoi të dhëna mbi eksportin e municioneve nga Serbia në Ukrainë dhe e përshkroi atë si “një goditje pas shpine për Moskën”.