Politike
VUÇIÇ SHPËRTHEN NDAJ RAMËS E BEGAJT: IMAGJINONI SIKUR NJË SERB TË THOSHTE LIRIA KA EMËR
Vendimi i Hagës për katër ish-drejtuesit e UÇK-së ka sjellë reagime të forta në rajon, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka drejtuar kritika ndaj qëndrimeve të liderëve shqiptarë.
Në fokusin e tij ishin veçanërisht presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministri Edi Rama, por Vuçiç komentoi edhe deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe të politikanëve shqiptarë në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Vuçiç tha se kishte zgjedhur të reagonte në mbrëmje, pasi, sipas tij, dëshironte fillimisht të shihte se si do të pozicionoheshin liderët politikë të rajonit pas vendimit të gjykatës.
Presidenti serb iu referua deklaratës së Bajram Begajt, i cili shprehu “trishtim të thellë” pas vendimit dhe tha se UÇK-ja nuk mund të njolloset, duke përdorur edhe sloganin “Liria ka emër”.
Vuçiç e kundërshtoi këtë qëndrim përmes një krahasimi hipotetik.
“Imagjinoni sikur një prej zyrtarëve tanë të thoshte: ‘Liria e ka një emër’ dhe të përmendte cilindo serb të dënuar nga Tribunali i Hagës”, deklaroi ai.
Kritikat e tij u drejtuan edhe ndaj Edi Ramës. Vuçiç përmendi reagimin e kryeministrit shqiptar pas vendimit, i cili publikoi në rrjetet sociale vetëm një fjalë: “Marre”.
Në shënjestër të presidentit serb ishte edhe Albin Kurti. Kryeministri i Kosovës e kishte cilësuar vendimin si “një padrejtësi të papranueshme” dhe kishte deklaruar se ai duhet të ndryshohet përmes procesit të apelimit.
Vuçiç përmendi gjithashtu reagimet e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, si dhe të politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, mes tyre Afrim Gashi dhe Ali Ahmeti.
Duke iu referuar reagimeve të tyre, presidenti serb përdori një ton ironik: “Unë mendoja se ata ishin kriminelë, të paktën të dënuar në shkallë të parë. Jo, ata janë të gjithë çlirimtarë, heronj dhe heroinat.”
Vuçiç e shfrytëzoi reagimin për të ngritur edhe një herë pyetjen mbi atë që ai e konsideron si standarde të ndryshme ndaj Serbisë dhe serbëve, në krahasim me popujt e tjerë të rajonit.
Reagimi vjen pas vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite, në total 81 vite burgim. Vendimi mund të apelohet.