Connect with us

Aktualitet

Zhdukja e 10-vjeçarit një dekadë më parë/ Dëshmitë kontradiktore të Ardian Prrenjasit

Emisioni “Në Shënjestër” i është rikthyer historisë së zhdukjes pa gjurmë të 10-vjeçarit Julian Çela më shumë se një dekadë më parë. Fëmija ishte në një qendër interneti kur u thirr nga dikush dhe prej atij momenti nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Pjesë nga dokumentari:

Personi i cili do të pranonte se kishte rrëmbyer, torturuar dhe më pas vrarë, 10 vjeçarin Julian Çela, ishte Ardian Përrenjasi. Ky personazh ishte i njohur si riciklues në veprën penale të pedofilisë. Në vitin 2008, ai ishte dënuar për tentativën për të rrëmbyer një tjetër fëmijë, por që kishte mundur t’ja hidhte drejtësisë, duke u gjobitur me vetëm 60 mijë lekë dhe kësisoj të shëtiste i lirë, në kërkim të një gjahu tjetër. Por ky nuk ishte rekordi i vetëm që Përrenjasi, kishte në abuzimin e të miturve. Pasi në moshë të re ai ishte përzënë nga banesa, fillimisht nga familjarët e tij, pasi kishte rrëmbyer dhe abuzuar seksualisht një fëmijë në lagjen ku banonte. Rekord të cilin ai e përsëriti edhe në mars të vitit 2013, në zonën e Laprakës, ku rrëmbeu dhe abuzoi seksualisht një tjetër fëmijë. Do të ishin këto rekorde të njëpasnjëshme, që çuan grupin hetues në dyshimin se ai mund të ishte edhe rrëmbyesi dhe personi që mund të kishte zhdukur Julian Çelën.

 

 

Ai kishte humbur gjurmët jo shumë larg zonës ku banonte Ardian Përrenjasi. Por ndërsa pritën që pedofili serial, të mohonte akuzën për përfshirjen e tij në zhdukjen e Julianit, për habinë e grupit hetues, ai pohoi të kundërtën e asaj që ata prisnin duke rrëfyer se po, ishte ai personi që kishte gisht në këtë histori.

Madje duke treguar edhe vendin ku e kishte hedhur trupin pasi fillimisht e kishte tërhequr në banesë, ku e kishte vrarë dhe duke e hedhur më tej trupin në Landfillin e Sharrës. Këtë vend ku Përrenjasi merrej me grumbullimin e mbetjeve të ndryshme, e njihte më mirë se kushdo.Por shpejt hetuesit u bindën se Ardian Përrenjasi po gënjente dhe ai nuk kishte lidhje me ngjarjen, por e pranoi krimin për shkak të dhunës së ushtruar nga policia.

“Personi nën hetim në deklarimet e dhëna ka mohuar faktin e përfshirjes së tij në vrasje duke sqaruar se ai nuk ka patur njohje me rastin e Julian Çelës. Ai e ka pranuar se kishte gisht në zhdukjen e Julian Çelës për shkak të dhunës së ushtruar nga punonjësit e policisë. Ku është detyruar ta pranojë vrasjen nga frika”, thuhet në dosjen hetimore. Prrenjasi sipas prokurorisë u përgjua në ambientet e izolimit në biseda me të vëllain e tij, ku këmbëngul se nuk kishte lidhjen me krimin, ndërsa theksonte se ishte dhunuar. Një tjetër detaj që bindi grupin hetues se Ardian Përrenjasi nuk po tregohej i vërtetë në thëniet e tij, ishte edhe kontradikta që ai binte me veshjen që Juliani kishte në trup ditën që humbi kontaktet me familjen. Ai tha për oficerët e policisë, se ditën që rrëmbeu Julianin, ky i fundit kishte veshur një xhup blu, por në fakt kjo nuk ishte e vërtetë. Familjarët pohuan të kundërtën duke rrëfyer se atë ditë Juliani kishte një veshje tjetër.

Ndërsa xhupi blu ishte vetëm në fotot që familja kishte dorëzuar në media dhe në polici, çka tregonte se Ardian Përrenjasi po sajonte një histori, e cila nuk kishte baza të së vërtetës. Dhe se për fatin e Julianit, hetuesit do të duhet të vazhdonin të gërmonin në pista të tjera, që mund të ishin më të besueshme.

 “Personi nën hetim deklaron se Julian Çela ka patur të veshur një bluzë sportive me kapuç ndërkohë që nuk jep asnjë karakteristikë tjetër në lidhje me veshjen e tij. Pra përshkrimi i dhënë prej tij lidhet me atë që ka parë në televizor. Ai deklaron se trupin e hodhi në landfillin e Sharrës, por kërkimet atje nuk dhanë rezultat. Ardian Prrenjasi deklaron se trupin e Julianit e mbështolli me një batanije të kuqe me vija të bardha, që ia kishte dhënë vëllai i tij, ndërsa vëllai e kundërshtoi këtë fakt.

Ai tha se nuk i kishte dhënë asnjë batanije Ardianit, çka bëri që edhe ky detaj të rrëzohej. Ai deklaroi se me 30 Nëntor ka qenë vetëm në shtëpi, në një kohë që bashkëshortja e tij iu tha hetuesve se atë mbrëmje ajo është ndodhur në banesën e saj. Ndërsa kampionet e ADN-së që u gjetën në shtëpinë e Përrenjasit nuk rezultuan të përputhshme me atë të Julian Çelës. Nisur nga më sipër prokurorët dolën në konkluzionin se ‘në analizë të provave të mbledhura gjatë hetimit mbetet i paprovuar fakti që shtetasi Julian Çela është vrarë dhe që ai të jetë vrarë nga Ardian Prrenjasi’”, thuhet në dosje.

Ardian Përrenjasi u dënua në vitin 2014 me 25 vite heqje lirie, për abuzimin me të miturin A.C në zonën e Laprakës, por nuk u provua asnjëherë lidhja e tij me rrëmbimin dhe zhdukjen e Julian Çelës. Por ndërsa edhe kjo pistë e cila në fillim u duk shpresëdhënëse, për të ditur se çfarë kishte ndodhur me Julianin, ra ashtu siç u ngrit. Më shumë sesa ndihmë, ngjan se arrestimi i Prrenjasit e dëmtoi më shumë hetimin e rastit. Për shkak të rrjedhjes në atë kohë në media të dëshmisë së tij, hetuesit dhe prokurorit të çështjes iu hoq nga duart dosja. A ishte apo jo i qëllimshëm devijimi i hetimit për zhdukjen e Julian Çelës, këtë duhet ta provojë një hetim i ri që mund të çelet për këtë rast./ ballkanweb

Aktualitet

Trageti në Sarandë përfshihet nga flakët, dëmi me vlerë mbi 300 mijë euro

Të dhëna të reja kanë dalë në dritë në lidhje me zjarrin që përfshiu ditën e sotme një traget të linjës Sarandë-Korfuz në portin e qytetit bregdetar.

Pasi zjarri është shuar janë konstatuar dëme të shumta në mjetin lundrues, të cilat përllogariten në vlerë mbi 300 mijë euro.

Mësohet se pronarët e tragetit kanë shprehur dyshimet e tyre se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe po sipas tyre shkak mund të jetë bërë konkurrenca.

Continue Reading

Aktualitet

Plas sherri te terminali i autobusëve në Fier/ Plagoset me thikë një person, arrestohet autori

Një plagosje me thikë ka ndodhur sot në terminalin e autobusëve në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. Një 50-vjeçar plagosi me thikë një  40-vjeçar.

Ky i fundit është dërguar në spitalin e Fierit, ku po merr ndihmë mjekësore, ndërsa autori i plagosjes është shoqëruar në komisariat.

NJOFTIMI I POLICISË:

Plagosi me mjet prerës (thikë) një shtetas, Policia kap dhe vë në pranga, menjëherë pas ngjarjes, autorin e dyshuar.

Rreth orës 11:30, tek terminali i autobuzëve në Mbyet, Fier, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi A. L. 50 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin K. L., rreth 40 vjeç.

Nga ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi në Komisariat, i shtetasit A. L., me të cilin po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Ndërkaq, i dëmtuari është transportuar në spitalin e Fierit, ku po merr ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Continue Reading

Aktualitet

Përfshihet nga flakët trageti i linjës Sarandë-Korfuz, detajet

Përfshihet nga flakët një traget në Sarandë. Mësohet se bëhet fjalë për tragetin që bën linjën Sarandë-Korfuz.

Mjeti lundrues kishte rreth 40 minuta që kishte ardhur nga Korfuzi.

Ndërkohë, zjarrfikësja ndodhet në vend. Fatmirësisht në momentin kur ndodhi zjarri në bordin e anijes nuk kishte pasagjerë.

Continue Reading

Aktualitet

E goditën me qytën e pistoletës në fytyrë, i riu përfundon në spital (EMRI)

Një sherr është regjistruar gjatë natës në Sarandë, ku një person është goditur me qytë pistolete. Ngjarja në shëtitoren e qytetit afër mesnate.

Kristo Ballkoni, 31 vjeç, banues në Sarandë dyshohet se është goditur me qytë pistolete në pjesën e fytyrës.

I riu është transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës ku ka marrë ndihmën e parë për shkak të plagëve në fytyrë. Policia prej mesnatës ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë dhe po grumbullon pamje filmike me qëllim identifikimin e autorëve.

Continue Reading

Aktualitet

Turizmi duhet mbrojtur nga “mendjexhinjtë” burokratë

Zhvillimi i turizmit është lajm shumë i mirë për sektorin bankar. Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank), thotë për “Monitor” se është tregu ai që duhet të përcaktojë drejtimet e zhvillimit, ndërsa sugjeron se ndërtimet në bregdet duhet të orientohen më shumë drejt hoteleve dhe ndërtesave të larta, për të shfrytëzuar më mirë hapësirën e kufizuar të tokës që ka vendi ynë. Sipas tij, mbështetja e turizmit në nivelet e vitit të kaluar do të jetë shumë e rëndësishme për ekonominë dhe sektorin bankar.

Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të Bankës Amerikane të Investimeve gjatë vitit të kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në vitin 2023?

Është një vit tjetër rekord për ABI në të gjithë treguesit financiarë dhe operacionalë. ABI është banka me raportin më të vogël të kredive të këqija, përfitueshmërinë më të madhe vjetore dhe rritjen organike më të shëndetshme në sistemin bankar.

Më vjen shumë mirë që ABI është gjithashtu banka me mesataren më të lartë të pagave në sistemin bankar.

Zhvillimi më i rëndësishëm në vitin 2023 ishte që vendime të rëndësishme kreditimi për sistemin bankar filluan të merren në Tiranë dhe u morën shqip. Ky është tashmë një fakt shumë domethënës, i mirëpritur nga biznesi dhe u konfirmua nga pjesëmarrja e suksesshme e bankave me pronësi të plotë apo të pjesshme lokale në disa sindikata të rëndësishme. Përveç likuiditetit të mjaftueshëm, në këtë dinamikë të re ka ndikuar dhe vendimmarrja e shpejtë e bankave lokale.

Pas pandemisë, po vërehet një rritje e ndjeshme e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme në ekonomi. Si po ndikojnë këto zhvillime në sektorin bankar?

Zhvillimi i turizmit është lajm shumë i mirë për sektorin bankar. Turizmi ka vite që është i rëndësishëm dhe ABI ka qenë në pararojë të financimit të turizmit. Është fakt që qeveria shqiptare është qeveria më pro biznesit të turizmit në rajon. Kjo duket sidomos në drejtim të zhvillimeve rezidenciale në bregdet.

Turizmi duhet mbrojtur nga “mendjexhinj” burokratë (si në rajonin e Ballkanit apo Mesdheut Verior), që ulërasin sa herë shikojnë të ndërtohet pallat në bregdet, apo ngrenë zhurma boshe për shkatërrimin e bregdetit, apo tregojnë përralla me oligarkë, apo dhe të marrë, që vazhdojnë të luftojnë komunizmin (në plazh) në 2024.

Uroj që Shqipëria të ndjekë shembullin e Majamit, ku tregu është ai që përcakton destinacionin e zhvillimit, dhe jo burokratët (e përsëris) “mendjexhinj”.

Shqipëria ka një bregdet shumë pak të zhvilluar, që krijon iluzionin e zhvillimit pa fund, por gjithsesi ne kemi një hapësirë relativisht të kufizuar toke, prandaj zhvillimi në bregdet mund të jetë më shumë me apart hotele / kondominium dhe jo vila pa fund.

Kuptohet, mbështetja e qeverisë me infrastrukturë për ndërtesa të larta në bregdet është çelës dhe vendimtare. Mendojmë se qeveria do të fillojë të mbështesë me garanci sovrane zhvillimin e infrastrukturës në vend, sidomos tani që borxhi publik në krahasim me PBB (por edhe borxhi privat në krahasim me depozitat) është në nivele tejet të ulëta.

Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2024?

E para sfidë është që turizmi të vazhdojë të ndihmohet të mbajë ritmet e vitit 2023. Elementi i sigurisë dhe pranisë së forcave të rendit në bregdet gjatë sezonit do të duhet të përmirësohet. Do të ishte naive të merrej e mirëqenë rëndësia e qetësisë civile, sidomos gjatë sezonit. Duhen shumë më shumë njerëz, mjete dhe trajnim. Është në interes të sistemit bankar të vendosë turizmin dhe forcat e rendit në krye të mbështetjes sociale korporative.

Çdo lajm jo i mirë për sigurinë e turistëve në Shqipëri do të ekzagjerohet nga tregjet konkurrente. Sfida e dytë lidhet me përdorimin e bonove korporatave, ku Shqipëria është shumë e vonuar. Ky treg në vendet e zhvilluara është shumë më i madh se totali i kredidhënies bankare, ndërkohë që në sistemin bankar shqiptar është pothuaj joekzistent.

Theksoj, se kjo nuk është për faj të institucioneve rregullatore. Mbështetja e Bankës së Shqipërisë dhe AMF ka qenë e plotë dhe e kahershme dhe është një nga rastet pozitive kur institucionet rregullatore janë përpara tregut. Transferimi profesionist i balancës së bonove korporative dhe roli i bankave në këtë proces mendoj se do jetë një risi domethënëse në vitin 2024. ABI dhe partnerë të tjerë do të jenë pjesëmarrës aktivë në këtë proces./Monitor

Continue Reading
Advertisement

TRENDING