Thinking ...
Connect with us

Bota

151 operacione në Europë/ Sabotime, sulme kibernetike…Moska teston kufijtë e NATO-s

Një luftë e padukshme po zhvillohet në zemër të Evropës.

Nga sabotimet dhe zjarrvëniet, te sulmet kibernetike, operacionet e ndikimit dhe dezinformimi, ekspertët paralajmërojnë për zgjerimin e asaj që e cilësojnë si luftë hibride të Rusisë kundër Perëndimit.

Sipas organizatës kërkimore Globsec, 151 raste të aktiviteteve që i atribuohen Rusisë janë identifikuar në Evropë nga shkurti i vitit 2022 deri në shkurt të vitit 2026. Organizata paralajmëron se shifra reale mund të jetë edhe më e lartë.

Një prej episodeve më të fundit të përmendura në material është incidenti me një dron që mbante eksploziv në aeroportin e Lajpcigut në Gjermani. Berlini e lidhi atë me një model operacionesh hibride ruse, ndërsa Moska i mohoi akuzat dhe e cilësoi pretendimin si të pabazuar.

Lista e rasteve të atribuuara Moskës përfshin tentativa për vrasje, zjarrvënie, sabotime, vandalizëm dhe veprime që kanë cenuar rendin publik.

Polonia, Franca, Gjermania, Lituania, Estonia dhe Britania e Madhe janë ndër vendet ku janë evidentuar raste të tilla. Sipas Globsec, shpërndarja e tyre sugjeron se mbështetja për Ukrainën mund të jetë një prej faktorëve kryesorë në përzgjedhjen e objektivave.

Por lufta nuk zhvillohet vetëm në terren.

Në shënjestër janë edhe hekurudhat, kabllot nënujore, infrastruktura kritike dhe sistemet digjitale. Raporti i Shërbimit Kërkimor të Kongresit amerikan përmend gjithashtu ndërhyrje politike, operacione ndikimi, sulme kibernetike dhe shkelje të hapësirës ajrore.

Ekspertët e cituar në material thonë se objektivi i Moskës është të krijojë përçarje dhe kaos në Perëndim, të rrisë koston e mbështetjes së NATO-s për Ukrainën dhe njëkohësisht të qëndrojë nën pragun e një lufte të drejtpërdrejtë me Aleancën.

Sipas studiuesit Maksym Beznosiuk, Kremlini po teston gatishmërinë e NATO-s duke shfrytëzuar ndarjet politike dhe ligjore mes aleatëve.

Një tjetër front është propaganda.

Qeveri evropiane kanë akuzuar rrjete të lidhura me Rusinë për përdorimin e llogarive të rreme, manipulimin e informacionit dhe shpërndarjen e materialeve të krijuara me inteligjencë artificiale.

Synimi, sipas ekspertëve, nuk është domosdoshmërisht bindja e miliona njerëzve, por shfrytëzimi i ndarjeve ekzistuese, rritja e polarizimit dhe dobësimi gradual i besimit te institucionet demokratike.

Por mënyra e operimit ka ndryshuar.

Ekspertët thonë se Moska është mbështetur gjithnjë e më shumë te rekrutimi online i shtetasve të vendeve të treta, duke krijuar një distancë mes shtetit rus dhe personave që kryejnë veprimet armiqësore.

Sipas raportit të Globsec, 95 për qind e 172 personave të përfshirë në sulme në Evropë që lidhen me Moskën ishin qytetarë të zakonshëm, pa lidhje zyrtare me shërbimet ruse të inteligjencës.

Në një tjetër front është edhe e ashtuquajtura “flota në hije” e Rusisë.

Anije tregtare dhe cisterna që operojnë nën flamuj të huaj janë lidhur nga ekspertët me incidente që përfshijnë dëmtimin e kabllove dhe tubacioneve nënujore, si dhe aktivitete mbikëqyrjeje pranë infrastrukturës kritike në Detin Baltik dhe Detin e Veriut. Edhe këto akuza janë mohuar nga Moska.

Ekspertët kërkojnë që NATO dhe Bashkimi Evropian të mos mjaftohen me paralajmërime, por të përcaktojnë më qartë se si duhet të trajtohen aktet e sabotimit që i atribuohen një shteti.

Ndërkohë, pavarësisht gjithë kësaj, vlerësimi i ekspertëve është se një luftë e drejtpërdrejtë Rusi–NATO mbetet skenar me gjasa të ulëta.

Rreziku më i madh mund të vijë nga një incident i kufizuar, i paqartë dhe i vështirë për t’u interpretuar, që mund të shkaktojë një zinxhir përshkallëzimi.

Dhe pikërisht këtu qëndron alarmi më i madh: një luftë që mbahet nën pragun e konfliktit të hapur, por që mund të prodhojë pasoja reale në çdo moment.

Ekspertët presin që Rusia të vazhdojë përdorimin e sabotimit, sulmeve kibernetike dhe dezinformimit edhe gjatë vitit 2027.

Sepse, sa kohë këto operacione janë relativisht të lira, të vështira për t’u atribuar dhe krijojnë shqetësim politik në Evropë, Moska ka ende një nxitje për të testuar dobësitë dhe vijat e kuqe të Perëndimit.

Advertisement