Bota
Lideri i opozitës izraelite merr mbështetje, Netanyahu “arratiset”
Lideri i opozitës izraelite, Gadi Eisenkot, ka siguruar mbështetjen e 67 deputetëve të Knessetit për të marrë mandatin e formimit të qeverisë së re, duke lënë pas kryeministrin aktual Benjamin Netanyahu, i cili mori rekomandimin e 46 ligjvënësve.
Megjithatë, rezultati i konsultimeve nuk e përcakton automatikisht largimin e Netanyahut nga pushteti. Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka deklaruar se do të zhvillojë bisedime të tjera me drejtuesit e partive për të vlerësuar se cili kandidat ka mundësi reale të sigurojë një shumicë parlamentare dhe të formojë qeverinë.
Në përfundim të konsultimeve me të gjitha fraksionet e Knessetit, Herzog bëri të ditur se 67 deputetë rekomanduan kreun e partisë Yashar, Gadi Eisenkot, ndërsa 46 të tjerë mbështetën Benjamin Netanyahun.
Presidenti izraelit theksoi se, megjithëse shifrat duken të qarta, situata mbetet e ndërlikuar për shkak të kundërshtive dhe vetove politike mes blloqeve dhe brenda tyre. Sipas tij, kjo e bën të paqartë se kush mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme për krijimin e një qeverie funksionale.
Herzog njoftoi se do të zhvillojë takime individuale me disa prej drejtuesve të partive për të sqaruar mundësitë e bashkëpunimit. Ai synon të marrë vendimin për dhënien e mandatit të dielën, më 8 nëntor.
“Synoj të mos lë gur pa lëvizur në përpjekjen për të nxitur palët të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë një qeveri të qëndrueshme dhe të mirë për popullin e Izraelit”, deklaroi Herzog.