Kronike
Prokurorë të SPAK trajnim në SHBA nga FBI
Një prokuror i SPAK si edhe disa hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë bërë një trajnim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me agjentë dhe ekspertë nga Akademia e FBI-së në Quantico, Virxhinia.
Ambasada e SHBA-së në vendin tonë ka publikuar disa foto nga trajnimi, teksa ka bërë me dije një grup i dytë do të ndjekë të njëjtin program javën e ardhshme.
“Një prokuror i SPAK-ut dhe një grup hetuesish të Byrosë Kombëtare të Hetimit vizituan Uashington D.C. javën e kaluar, ku u takuan me zyrtarë nga Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit, Byroja Federale e Hetimit (FBI), Administrata për Luftën Ndaj Narkotikëve (DEA), Qendra për Koordinim dhe Analizë e Maryland, dhe Departamenti i Policisë së Baltimorës (BPD). Komisioneri dhe Zv. Komisioneri i Zyrës së Integritetit Publik (ish investigues për korrupsionin publik dhe krimin e organizuar i FBI-së) nga Departamenti i Policisë së Baltimorës i mirëpritën ata. Ata u takuan edhe me një drejtues të Departamentit të Drejtësisë, i cili ka udhëhequr hetimet dhe ndjekjet penale të nivelit të lartë për korrupsionin publik si prokuror federal. Këtë javë, grupi është në Akademinë e FBI-së në Quantico, Virxhinia, duke u trajnuar dhe ndarë përvojat me agjentët dhe ekspertët nga agjencia më e madhe e ligjzbatimit në botë. Një grup i dytë hetuesish do të ndjekë të njëjtin program javën e ardhshme. Vizitat e këtij muaji nisën më 3 gusht, me takime të nivelit ekzekutiv mes agjencive ndërinstitucionale të Shteteve të Bashkuara dhe Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së në SPAK”, bën me dije ambasada e SHBA-së.