Aktualitet
EUROSTAT: Vetëm 0.6% e makinave në Shqipëri të reja
Shqipëria ka përqindje shumë të ulët të automjeteve të reja në raport me numrin e përgjithshëm të tyre.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se në fund të vitit 2021 vetëm 0.6% e autoveturave aktive të regjistruara ishin makina të reja. Makina të reja, sipas metodologjisë së përdorur nga Eurostat, konsiderohen ato të prodhuara gjatë dy viteve të fundit.
Me këto shifra, Shqipëria është larg niveleve më të fundit të raportuara nga vendet e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, për vitin 2020, vendi i BE me peshën më të madhe të makinave të reja kundrejt totalit të mjeteve të regjistruara ishte Luksemburgu, ku këto mjete përbënin 22% të totalit të mjeteve në qarkullim.
Pas Luksemburgut, vijojnë një grup shtetesh si Franca, Austria, Irlanda, Belgjika dhe Suedia, që e kanë peshën e automjeteve të reja në intervalin mes 16% dhe 17%. Në fund të renditjes, me peshën më të ulët të mjeteve të reja, renditen Rumania, Letonia dhe Lituania.
Për sa i takon mjeteve me peshë nga dy deri në pesë vjet, përqindjen më të lartë e ka Luksemburgu dhe Irlanda, me 28%, të ndjekura nga Belgjika, me 24%. Për Shqipërinë, automjetet në këët interval përbëjnë vetëm 3.9% të totalit.
Në Shqipëri vazhdojnë të dominojnë automjetet e vjetra, të prodhuara para vitit 2005. Vitin e kaluar, ato përbënin mbi 57% të numrit të përgjithshëm të automjeteve. Ndërkohë, automjetet e prodhuara para vitit 2009 përbëjnë pothuajse 87% të numrit të mjeteve aktive në vend, në fund të vitit 2021.
Mosha e flotës së automjeteve që qarkullon në një vend është një tregues i zhvillimit ekonomik, por edhe indikator i rëndësishëm për çështje të lidhura me ndotjen e mjedisit. Në vitet e fundit, teknologjia e prodhimit të automjeteve është më e orientuar drejt kursimit të karburantit, por edhe zgjidhjeve që kufizojnë emetimet e dëmshme në atmosferë, kryesisht nëpërmjet makinave elektrike ose hibride.
Për momentin, Shqipëria është shumë larg këtyre tendencave dhe ofron incentiva të pakta për automjetet e reja dhe për ato elektrike. Automjetet e reja (të prodhuara në tre vitet e fundit) përjashtohen nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve, ndërkohë që formula e kësaj takse parashikon rritje të kostos paralelisht me moshën e automjetit. Megjithatë, difrenecimi në taksim është larg niveleve që do të ndikonin në heqjen nga përdorimi të mjeteve më të vjetra.
Ndërkohë, për mjetet elektrike aplikohen disa incentiva shtesë. Mjetet e reja elektrike mund të importohen pa taksë doganore dhe pa paguar tatim mbi vlerën e shtuar dhe përjashtohen nga taksa vjetore e qarkullimit. Gjithashtu, këto automjete mund të regjistrohen pa kosto fillestare. Prej vitit 2019, DPSHTRR ka zeruar tarifat për kontrollin fizik, nxjerrjen e lejes së qarkullimit, nxjerrjen e targave dhe të certifikatës së pronësisë. Megjithatë, deri tani as këto incentiva nuk kanë pasur një impakt shumë të madh në rritjen e përdorimit të mjeteve elektrike.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se deri në mesin e këtij viti në Shqipëri rezultonin zyrtarisht të regjistruara vetëm 624 autovetura elektrike. Ndërkohë, automjetet hibride që, përveç lëndëve djegëse fosile, funksionojë pjesërisht me energji elektrike, janë pak më shumë se 1300. Gjithsej, automjetete elektrike dhe hibride përbëjnë vetëm 0.3% të numrit të përgjithshëm të automjeteve aktive në Shqipëri./MONITOR