Thinking ...
Connect with us

Kronike

“Boli i kokainës” drejt Shqipërisë? Zbulohen kushtet që autoritetet shqiptare i plotësuan Brazilit

Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka miratuar unanimisht kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Ervin Matës, i njohur edhe me nofkën “Boli”. Vendimi është marrë nga trupi i parë i gjykatës, pas një seance virtuale të zhvilluar nga 14 deri më 21 gusht.

Sipas vendimit, dokumentacioni i paraqitur nga autoritetet shqiptare plotëson kushtet ligjore për ekstradim. Kërkesa lidhet me procedimin penal në Shqipëri, ku Mata dyshohet për vepra që përfshijnë trafikimin e lëndëve narkotike, bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Gjykata braziliane nuk ka vlerësuar nëse Mata është fajtor apo jo për akuzat që i atribuohen. Në vendim sqarohet se procedura e ekstradimit nuk përbën një rigjykim të çështjes penale dhe se kontrolli i gjykatës kufizohet në verifikimin nëse plotësohen kushtet ligjore për dorëzimin e personit të kërkuar.

Gjykata ka konstatuar se në këtë rast ekziston parimi i dënueshmërisë së dyfishtë, se veprat penale nuk janë parashkruar dhe se nuk ka një pengesë ligjore për ekstradimin. Bëhet fjalë për ekstradim me qëllim ndjekjen e procedimit penal në Shqipëri dhe jo për ekzekutimin e një dënimi të formës së prerë.

Megjithatë, vendimi i Gjykatës Supreme nuk nënkupton dorëzimin automatik të Matës te autoritetet shqiptare. Sipas procedurës braziliane, vendimi përfundimtar për dorëzimin e tij i takon Presidentit të Brazilit. Përpara dorëzimit, Shqipëria duhet gjithashtu të formalizojë garancitë e kërkuara nga ligji brazilian, përfshirë respektimin e parimit që Mata të mos ndiqet për një vepër tjetër nga ajo për të cilën është kërkuar ekstradimi, t’i llogaritet periudha e paraburgimit në Brazil dhe të mos i nënshtrohet torturës apo trajtimeve mizore, çnjerëzore ose degraduese.

Në dosjen e autoriteteve braziliane janë përfshirë edhe të dhëna nga komunikimet në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC. Sipas materialeve të administruara në çështje, një përdorues me identifikuesin GS4TDD, i identifikuar si Ervin Mata, ka komunikuar për transportin e rreth 250 kilogramëve kokainë nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani.

Në një komunikim të datës 29 shtator 2020, në dosje përmendet se Mata fliste për sekuestrimin e 240 njësive të ngarkesës në Frankfurt. Në një tjetër komunikim, ai deklaronte se malli i tij ishte sekuestruar në Frankfurt, ndërsa në dosje përmenden edhe komunikime lidhur me transferimin e parave përmes personave të tjerë.

Ervin Mata është prej vitesh në vëmendjen e drejtësisë shqiptare për çështje që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve. Emri i tij u bë i njohur për publikun pas ngjarjes së 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku gjatë një përplasjeje me armë në lokalin “Monopol” mbeti i vrarë Fabjol Gaxha.

Në atë ngjarje u përfshinë disa persona, ndërsa hetimet e mëvonshme e lidhën konfliktin edhe me çështje që kishin të bënin me trafikun e kokainës. Fillimisht, ngjarja u raportua në publik edhe në lidhje me një konflikt të dyshuar për shkak të këngëtares Elvana Gjata, e cila ndodhej në shoqërinë e Matës. Më pas, hetimet e autoriteteve shqiptare paraqitën edhe pista të tjera lidhur me trafikun e narkotikëve.

Mata u vetëdorëzua pak ditë pas ngjarjes, duke mohuar se ishte autor i vrasjes. Në vitet që pasuan, emri i tij u shfaq sërish në hetime për krimin e organizuar dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.

Më 20 nëntor 2023, SPAK lëshoi një urdhër-arrest ndaj tij në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Sipas hetimeve të SPAK, Mata dyshohet se ka pasur rol në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në dosjen hetimore janë përfshirë edhe komunikime të siguruara nga rrjeti Sky ECC.

Çështja lidhet edhe me persona të tjerë të hetuar në kuadër të të njëjtit operacion, mes tyre biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Oltion Bistri. Në dosjen e SPAK janë trajtuar gjithashtu lidhje të dyshuara mes grupit kriminal dhe personave me funksione në strukturat e policisë.

Ervin Mata është lidhur në dosje edhe me ish-nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, dhe ish-shefin e Krimeve në Komisariatin Nr. 6, Dedan Gjoni, të cilët janë hetuar dhe akuzuar nga SPAK për vepra të ndryshme penale. Breçani dhe Mata kanë edhe lidhje familjare përmes martesës së djalit të Breçanit me motrën e Matës.

Vendimi i Gjykatës Supreme Federale të Brazilit i hap kështu rrugë procedurës së mëtejshme për ekstradimin e Matës, por dorëzimi i tij në Shqipëri do të varet nga vendimi i Presidentit brazilian dhe përmbushja e garancive të kërkuara nga autoritetet e Brazilit.

 

Gjykata e Brazilit MIRATON ekstradimin e Ervin Matës, kushtet që
Advertisement