Politike
Meta flet për Kim: Gruaja e Bilalit ka probleme me SHBA
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka deklaruar se hetimet e SPAK që janë hapur ndaj tij e kanë motivuar atë më shumë. Në një intervistë me Fax News, Meta gjithashtu ka thënë se marrëdhëniet e tij me SHBA-në janë të mirë, ndërkohë që ka shtuar se të vetmit që kanë probleme atje janë gruaja e Bilalit (Edi Rama) si dhe miku i Muzinit (Lulzim Basha).
Pyetje: Ndiheni i sulmuar pas hetimeve nga SPAK?
Meta: Ndihem shumë i vlerësuar nga të gjitha sulmet që më bëhen për llogari të mafies në pushtet. Kjo vetëm se më motivon më shumë mua dhe PL-në, për ta nisur shtatorin me “Ramoviç shporru”.
Pyetje: Reagimi i ambasadores Yuri Kim për reformën në drejtësi, kishte një mesazh të fshehtë për ju?
Meta: Nuk ka se si të ketë mesazh të fshehur për mua, mesazhet e mia kanë qenë të hapur ndaj të gjithëve që kjo ka qenë reformë e dështuar. Është kapur prokuroria nga Edi Rama. Është vetë ai që në kongresin e fundit ku e bëri të qartë se SPAK është krijesë e PS-së. Ekzistencën e vetë ia detyroi partisë. Është e qartë se kush janë personat që i bëjnë presion drejtësisë. Shqipëria ka rënë 26 vende përsa i takon treguesit antikorrupsion. Është vendi i dytë në botë për dhënien dhe marrjen e rryshfetit pas Zambias.
Pyetje: Si janë marrëdhëniet tuaja me ambasadoren amerikane Yuri Kim?
Meta: Marrëdhëniet e mia me SHBA-të kanë qenë dhe do jenë të shkëlqyera në mënyrën më absolute. Dy persona kanë probleme me drejtësinë e SHBA-së. Një është gruaja e Bilalit që është në krye të qeverisë. Tjetri dihet se kush është, miku i Muzinit. Është kënaqësia më e madhe nëse dikush më kërkon të më pyesë. Sepse do u bëj publike të gjitha çështjet për të cilat pyetem dhe përgjigjet e mia. Ne do vijojmë me aferën e inceneratorëve.