Shkrime
Takimi i oligarkut me milionerin nga Amerika
NGA LUTFI DERVISHI
Takimi i oligarkut me milionerin nga Amerika u realizua në një nga ditët më të bukura që mund të regjistrojë kujtesa e njeriut. Ishte ndër ato ditët ku çdokush mund të oksigjenojë mushkëritë me ajër të pastër dhe kur për shkak të cilësisë së ajrit, malet të duken akoma e më afër.
Aroma e detit përzierë me melodinë e cicërimave të zogjve, të bënin të besoje se edhe dita në parajsë nuk të ofron asgjë më shumë se kaq.
-Këtu qenka mrekulli, duhet falënderuar i madhi Zot për këto bukuri që i ka falur këtij vendi, -belbëzoi milioneri nga Amerika duke rrufitur kafenë, e fill pas saj duke lëshuar një psherëtimë të thellë plot mallëngjim.
-Nëse do ta kishe parë se si ishte para se të investoja 30 milionë dollarë, sot zotrote, nuk do të falënderoje Zotin, por këtë gjoks këtu,- i tha plot krenari oligarku duke ngritur zërin dhe hedhur vështrimi në formë elipsi nga tavolinat që ndodheshin rrotull. Pasi u sigurua që e kishin dëgjuar të gjithë ata që ishin rreth e rrotull, oligarku fërkoi barkun e dhjamor ku fare mirë mund të vendosje tabakanë e kamarierit, madje edhe me dy birra sipër.
-Unë e njoh këtë treg bajagi mjaft mirë- iu përgjigj milioneri duke vijuar: -Në vlerësimin tim, por edhe të kujtdo eksperti që mund të marrësh, këtu nuk janë hedhur më shumë se 3-4 milionë dollarë. Megjithatë, nuk ka shumë rëndësi. Po meqë çdo gjë në këtë botë ka çmim dhe nuk ka asgjë të panegociueshme a ma shet mua këtë për 40 milionë dollarë?!
– Hidhi 240 milionë dollarë dhe që në këtë moment unë të dorëzoj çelësat. Nuk ka llafe shumë me mua. Në perandorinë që kam ngritur jam bazuar vetëm në dy fjalë: Po ose jo!
-Zotëri fort i nderuar, me 240 milionë dollarë unë blej 10-15 komplekse të tilla kryq e tërthor Amerikës. Por, unë po kuptoj një gjë që t’i nuk ma shet dot mua këtë pronë edhe sikur t’i vendos tani mbi tavolinë 500 milionë dollarë!
Pse?!- pyeti më shumë për inerci oligarku.
Sepse nuk e paske tënden, -u përgjigj milioneri nga Amerika.