Connect with us

Bota

BE-ja ua vështirëson jetën turistëve rusë

BE ua vështirëson jetën turistëve rusë

Bashkimi Evropian nuk do t’i pengojë qytetarët rusë të hyjnë në territorin e tij, por do tjua vështirësojë marrjen e vizës.

Pas marrëveshjes së arritur mes ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, Komisioni Evropian nisi zyrtarisht propozimin për pezullimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave, në fuqi me Rusinë që nga viti 2007.

“Turizmi në Bashkimin Evropian nuk është një e drejtë themelore. Sot Komisioni miratoi një propozim për të pezulluar plotësisht marrëveshjen e lehtësimit me Rusinë,” tha Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme Ylva Johansson.

“Për momentin – tha ajo –  nuk ka asnjë bazë për të mbajtur një marrëdhënie të privilegjuar midis Bashkimit dhe Rusisë. Ky pezullim do të thotë që qytetarët rusë nuk do të kenë më akses të privilegjuar në vendet evropiane”.

Rusët do të mund të vazhdojnë të aplikojnë për leje në BE, por përmes një procedure më të gjatë dhe më të shtrenjtë.

Kërkesat, gjithmonë për t’u dorëzuar autoriteteve kombëtare, do të kushtojnë 80 euro në vend të 35 dhe do të duhet të presin nga 15 deri në 45 ditë, krahasuar me dhjetë ditë që kërkoheshin më parë.

Këto rregulla të reja nuk do të zbatohen për ata qytetarë që kanë nevojë për mbrojtje për shkak të qeverisë së presidentit rus Putin, siç janë gazetarët, disidentët ose aktivistët e të drejtave të njeriut.

Sipas disa eurodeputetëve, ky është një vendim i balancuar për të ndihmuar vendet në kufi me Rusinë, por sigurisht që nuk do të ndalojë luftën e vazhdueshme në Ukrainë. Sipas agjencisë Frontex, përgjegjëse për kontrollin e kufijve evropianë, rreth një milion rusë kanë hyrë në Union që nga fillimi i luftës.

Advertisement