Connect with us

Kronike

Qëlloi 8 herë me thikë gruan, arrestohet autori

Një grua është plagosur me thikë nga bashkëshorti i saj në Elbasan në banesën e tyre në lagjen ‘Dyli Haxhire’. Pasditen e sotme, në Elbasan, 50-vjeçari Elmas Kalija ka plagosur bashkëshorten e tij, e identifikuar si Shkëlqime Kalija. Edhe pse u arratis, Elmas Kalija u prangos nga Policia e Shtetit, por në asnjë moment nuk raportohet se ka bërë rezistencë. Ndërsa gruaja është dërguar në spitalin e Elbasanit, ku edhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën.

Ai e ka qëlluar 8 herë me thikë duke i shkaktuar plagë në brinjë, qafë dhe zemër. Përveç saj, i plagosur nga 50-vjeçari ka mbetur edhe fqinji i çiftit, i cili ndërhyri për të shpëtuar gruan nga i shoqi. Ky i fundit dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, por ky version pritet që të konfirmohet nga ekspertiza.

“Në lagjen “Dyle Haxhiri”, Elbasan, shtetasi E. K., 55 vjeç, banues në Elbasan, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. K., 50 vjeçe, si dhe fqinjin e tyre, shtetasin E. S., 64 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka ndërhyrë për të ndaluar shtetasin E. K. Të dy të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Falë reagimit të menjëhershëm nga ana e Policisë është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. K., në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes,”- njofton Policia.

Policia e Shtetit ndodhet në vendngjarje dhe po heton shkaqet e plagosjes së gruas, e cila është e dyta për sot, pasi një tjetër u plagos po me thikë nga ish-bashkëshorti i saj. Por fatmirësisht nuk mori lëndime të rënda.

Advertisement